Testet mjekësore që çdo burrë duhet t’i kryejë

Shëndetësia

Testet mjekësore që çdo burrë duhet t’i kryejë

Më: 4 nëntor 2020 Në ora: 16:26
Foto Ilustrim

Kryerja e kontrolleve të duhura mjekësore në kohën e duhur është gjëja më e rëndësishme që mund të bëni për shëndetin. Kontrollet zbulojnë në kohë sëmundjet, para se të shfaqen simptomat, dhe trajtimi bëhet më i lehtë. Llojet e kontrolleve mjekësore që duhet të kryeni pastaj varen nga mosha dhe faktorë të tjerë të rrezikut.

Kanceri i prostatës

Kanceri i prostatës është ndër më të përhapurit tek meshkujt. Zakonisht është një lloj kanceri që progreson ngadalë, megjithatë nuk përjashtohen as rastet kur kanceri përhapet shpejtë. Kontrollet mjekësore mund të ndihmojnë në diagnostikimin e hershëm të sëmundjes, para edhe se të zhvillohen simptomat dhe trajtimet janë edhe më efikase.

Kontrollet për kancerin e prostatës

Diagnoza PSA:  Rritja e PSA (antigjeni specifik i prostatës (analizë gjaku) është një shenjë alarmi për diagnozën e kancerit të prostatës. Një PSA e lartë jo gjithmonë do të thotë kancer, ashtu sikurse një PSA e ulët jo gjithmonë do të thotë që nuk ka kancer. Rekomandohet që PSA të kryhet nga të gjithë meshkujt mbi 50 vjeç, një herë në vit.

Në meshkuj që kanë të afërm të shkallës së parë të diagnostikuar në moshë të re rekomandohet që të fillojnë të bëjnë PSA që në moshën 40-vjeç.

Tusheja rektale: I jep mjekut informacion mbi formën, madhësinë, fortësinë dhe formacioneve të mundshme të prostatës.

Biopsia: Vendos përfundimisht diagnozën për kancerin e prostatës. Merret material prostatik me disa shpime transrektal në prostatë dhe më pas vlerësohet nga mjeku anatomopatolog.

Kanceri i testikujve

Ky lloj kanceri jo shumë i përhapur zhvillohet tek testikujt, gjëndra riprodhuese që prodhojnë spermën. Shumica e rasteve ndodhin në moshat 20-54 vjeç.

Shoqëria Amerikane e Kancerit rekomandon që të gjithë meshkujt të kryejnë një kontroll të testikujve gjatë kontrolleve mjekësore rutinë tek mjeku. Burrat me rrezik më të lartë (histori familjare ose një shenjë të dyshimtë në testikuj) duhet të flasin me mjekun për të bërë kontrolle më të imtësishme. Disa mjekë rekomandojnë vetë-kontrollet nga meshkujt për të vërejtur ndryshimet në madhësi ose formë të testikujve.

Kanceri kolorektal

Kanceri kolorektal është shkaku i dytë më vdekjeprurës nga kanceri. Burrat janë pak më shumë të rrezikuar se gratë për të zhvilluar kancer kolorektal. Pjesa më e madhe e llojeve të kancerit të zorrës së trashë zhvillohen në mënyrë graduale nga polipet e zorrës: masa beninje në sipërfaqen e brendshme të zorrës. Më pas kanceri mund të përhapet edhe në pjesë të tjera të trupit. Për të parandaluar zhvillimin e kancerit kolorektal duhen hequr polipet para se të kthehen në kancerogjene.

Testet për kancerin e zorrës

Kontrolli duhet të fillojë në moshën 50 vjeç për personat me rrezik mesatar. Për zbulimin e polipeve dhe kancerit kolorektal përdoret zakonisht kolonskopia. Mjeku mund të shohë të gjithë zorrën nëpërmjet një tubi fleksibël dhe kamera.

Tensioni i lartë i gjakut

Rreziku për zhvillim të tensionit të lartë të gjakut rritet me moshën. Ai lidhet gjithashtu me peshën dhe mënyrën e jetesës. Tensioni i lartë i gjakut mund të shkaktojë komplikacione më të rënda nëse nuk mbahet nën kontroll, si probleme me zemrën, goditje në tru apo probleme me veshkat. Nëse keni tension të lartë të gjakut, konsultohuni me mjekun se si mund ta mbani nën kontroll.

Nivelet normale të tensionit të gjakut janë më pak se 120/80 mm Hg. Mund ta matni tensionin e gjakut në shtëpi, farmaci ose tek mjeku i familjes. Nëse tensioni sistolik është mbi 130 dhe ai diastolik mbi 85, mjeku mund t’ju rekomandojë ndryshime në mënyrën e jetesës – si më shumë aktivitet fizik dhe kufizimi i kripës – ose mund të keni nevojë edhe për ilaçe.

Nivelet e kolesterolit

Nivelet e larta të kolesterolit LDL në gjak shkaktojnë zhvillimin e pllakës bakteriale në muret e artierieve. Kjo rrit rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës.

Kolesteroli matet me një analizë e thjeshtë e gjakut, kur jeni në gjendje esëll (nuk duhet të keni ngrënë asgjë 9-12 orët e fundit). Me anë të kësaj analizë mund të masni nivelet në total të koelsterolit, kolesterolin e mirë (HDL), kolesterolin e keq (LDL) dhe trigliceridet. Në varësi të rezultateve, mjeku mund t’ju rekomandojë të bëni ndryshime në dietë ose t’ju japë recetë për ilaçet që ulin kolesterolin.

Diabeti tip 2

Shumë njerëz me diabet as nuk e dinë që e kanë këtë sëmundje. Nëse nuk mbahet nën kontroll, diabeti mund të çojë në zhvillimin e sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru, probleme me veshkat, probleme me shikimin, dëmtim nervor, deri në impotencë. Kjo nuk ka përse të ndodhë. Nëse zbulohet herët, diabeti mund të mbahet nën kontroll dhe mund të shmangen komplikacionet me dietë, ushtrime fizike, rënie në peshë dhe ilaçe.

Me anë të një analize gjaku esëll ose një test A1C (analizë gjaku që parashikon një mesatare të niveleve të sheqerit në gjak për 3 muajt e ardhshme) mund të dalloni nëse keni diabet ose jo.

Nëse keni faktorë të tjerë rreziku, si kolesterol të lartë ose tension të lartë të gjakut, duhet ta bëni këtë test më herët dhe më shpesh.

Infeksionet seksualisht të transmetueshme

Edhe nëse keni qenë në marrëdhënie me vetëm një partnere për vite me radhë, nuk është keq të bëni  një analizë për infeksionet seksualisht të transmetueshme. Shumë nga këto infeksione mund të mbeten të padiagnostikuar për vite me rradhë. Për shembull, njerëzit mund të jetojnë edhe 10 vite pa shfaqur simptoma të HIV-it. Ekspertët rekomandojnë që të paktën njëherë në jetë të bëhet një kontroll për HIV-in. Kjo është sidomos e rëndësishme nëse keni kryer marrëdhënie seksuale pa përdorur masa mbrojtëse, keni injektuar drogëra të ndryshme ose keni bërë transfuzione të gjakut.

Glaukoma

Ky grup sëmundjesh të syrit dëmton gradualisht nervin optik dhe mund të çojë në verbim. Ka raste kur njerëzit kanë përfunduar me humbje shikimi pa e kuptuar që kanë glaukomë.

Kontrollet e syrit për glaukomën bëhen në varësi të moshës dhe faktorëve të rrezikut:

Nën 40 vjeç: Çdo 2-4 vjet

40-54: Çdo 1-3 vjet

55-64: Çdo1-2 vjet

65+: Çdo 6-12 muaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat