'Tokofobia' ose frika nga lindja: Gratë po përballen gjithnjë e më shumë me këtë problem

Shëndetësia

'Tokofobia' ose frika nga lindja: Gratë po përballen gjithnjë e më shumë me këtë problem

Më: 18 shkurt 2021 Në ora: 16:17
Foto Ilustrim

'Tokofobia' ose frika për të pasur fëmijë. Sipas 'Corriere de la Sera', motivet nuk janë vetëm ato ekonomike, si shpenzimet për ushqyerjen, kopshtin, arsimimin, por edhe ndryshimet shoqërore ose ritmet e një jetë gjithmonë e më frenetike që shkaktojnë edhe ankth ose depresion. Sidoqoftë, zgjedhja për të mos pasur fëmijë mund të ketë edhe një tjetër arsye psikologjike e cila merret më pak në konsideratë dhe quhet tokofobia, një sindromë që tregon frikë të tepruar dhe të pabazuar nga lindja (fjala vjen nga greqishtja e vjetër 'tokos'-lindje e fëmijëve dhe 'fobia'-frikë).

Një fenomen i studiuar që në vitet 2000 nga universitetet britanike  dhe së fundi është përshkruar edhe nga profesorët e Universitetit të Lubianës dhe Jeruzalemit në 'Journal of Perinatal Medicine'. Tashmë kjo sindromë, e quajtur edhe maieusio-fobia (nga greqishtja 'maieusis'--procesi i lindjes së gruas) po studiohet në gjithë botën.

Fëmijë gjithnjë e më vonë

Në disa raste, kjo sindromë mund të shpjegojë tendencën në rritje për të shtyrë amësinë: gjithnjë e më shumë gra po lindin fëmijë rreth moshës 40 vjeç, duke përdorur fekondim të asistuar. Tokofobia mund të shpjegohet edhe me fenomen tjetër të zbuluar nga sondazhi i CeDAP, që është rritja e numrit të lindjeve me metodën e prerjes cezariane, një trend që përfshin gjithë botën.  Pavarësisht se udhëzimet e The National Insitute for Health and Care Excellence u kërkonin mjekëve të refuzonin kërkesat për lindje cezariane pa indikacione klinike, midis vitit 1989 dhe vitit 2010, ato u rritën nga 10% në 25%. Këto direktiva janë riparë në vitin 2011 duke lejuar prerjet cezariane për nënat që i kërkonin dhe tashmë ky numër është rritur në 26,7%.

Rriten shanset për depresion

Nuk duhen harruar rreziqet anesteziologjike, hemorragjike dhe laparoskopike që lidhen me prerjet cezariane, por edhe fakti që sipas një studimi të kryer nga Universiteti i Tajvanit, rritet risku i depresion me 48%, edhe nëse është planifikuar më parë dhe nuk kryhet me urgjencë. Megjithatë, në disa vende si Armenia, prerjet cezariane nga viti 2000 (7.2%) u rritën në 31% deri në vitin 2017 sepse rimbursimi për mjekët ishte më i madh se sa me lindje natyrale: një arsye e mirë ekonomike për të praktikuar prerjen cezariane edhe pa nevoja klinike. Dhe këtu tokofobia ka të bëjë shumë pak.

Ankthi rrit kohëzgjatjen e lindjes

Shumë gra kanë frikë nga lindja, por tek disa, lindja mund të kthehet në një fobi të vërtetë. Sipas Universitetit të Oslo, nëse lihen të patrajtuara këto frikë zgjasin kohën e lindjes për një orë e 32 minuta, me rrezikun e lindjes me forceps ose një prerje cezariane urgjente. Këto gra, kanë veçanërisht frikë nga dhimbja, humbja e kontrollit dhe dëmtimet në vaginë që mund të largonin partnerin e tyre. Sindromi fillon në një moshë të re, shpesh pas një ngjarjeje traumatike në të cilën kanë marrë pjesë. Në këtë rast këshillim ndihmon shumë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat