Prof.Dr.Samedin Haxhijaha (1946 – 2017) - Kirurg i përgjithshëm dhe endoskopist

Shëndetësia

Prof.Dr.Samedin Haxhijaha (1946 – 2017) - Kirurg i përgjithshëm dhe endoskopist

Më: 28 qershor 2022 Në ora: 09:39
Dr. Samedin Haxhijaha

Dr. Samedin Haxhijaha lindi më 1 janar 1946 në Rahovec në një familje patriotike. Pas përfundimit me sukses shembullor të shkollës fillore në vendlindje. Dr. Samedin Haxhijaha përfundon me të njëjtin sukses edhe shkollën e mesme në Prizren. Në vitin shkollor 1966/67 regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup në të cilin i përfundon studimet më 29 shkurt të vitit 1972.

Më 18 shtator 1978 Dr.Samedin Haxhijaha në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Zagrebit, Kroaci, e përfundon me sukses të shkëlqyeshëm specializimin nga kirurgjia e përgjithshme, ndërsa një vit më vonë i përfundon edhe studimet postuniversitare nga lëmi i gastroenterologjisë me hepatologji.

Në vitin 1970 në Klinikën e Neurokirurgjisë të Universitetit të Varshavës përfundon praktikën studentore. Që nga viti 1978 për shumë vite ka qëndruar në Katedrën e Parë të Kirurgjisë së Përgjithshme dhe Kirurgjisë Gastroenterologjike të Universitetit të Jagellonit në Krakovë, Poloni ku ka fituar njohuri nga lëmi i diagnostikës dhe trajtimit endoskopik të sëmundjeve të traktit digjestiv.

Në Klinikën e Kirurgjisë të Spitalit të Prishtinës punoi nga 1 marsi i vitit 1972. Për një kohë të gjatë ka punuar si kryeshef i shërbimit të pranimit dhe të ambulancave specialistike, ndërsa në vitin 1979 emërohet asistent në Katedrën e Kirurgjisë të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë.

Në vitin 1988 pas aftësimit në shumë qendra eminente në Kroaci dhe në Poloni dhe në bashkëpunim me kolegët nga shërbimi i endoskopisë së traktit respirator dhe urologjik të klinikës, themelon Shërbimin për Diagnostikë dhe Terapi Endoskopike të Traktit Digjestiv të Klinikës së Kirurgjisë në Prishtinë.

Në vitin 1999 përfundoi doktoratën në Prishtinë me temë "Rezultatet e mëvonshme të mjekimit kirurgjikal të ulcerës duodenale me vagotomi proksimale selektive në materialet klinike në Krakovë dhe Zagreb".

Është autor dhe koautorë i një numri të madh të punimeve shkencore në vend dhe në botë dhe inaugurues i dy metodave origjinale në kirurgji për mjekimin e unguis incarnates halluces dhe të atheroma-s.

Ka ndërruar jetë në moshën 71 vjeçare. Doktor Samedin Haxhijaha, ish-aktivist i viteve të ‘90-ta, Haxhijaha ka qenë edhe profesor i mjekësisë në QKUK, dhe këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë.

I ndjeri pësoi gjakderdhje në tru më 15 dhjetor të vitit 2016, ndërsa ndërroi jetë në QKUK më 29.01.2017.

Përgatiti: Prof.Dr.Salih Krasniqi

Pjesë nga MONOGRAFIA KIRURGËT E PËRGJITHËM NË QKUK 1969 -2022 (në dorëshkrim)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat