Dr. Mehmet Maxhuni, kirurg i njohur dhe laparaskopist

Shëndetësia

Dr. Mehmet Maxhuni, kirurg i njohur dhe laparaskopist

Nga: Përgatiti: Salih Krasniqi Më: 4 korrik 2022 Në ora: 10:18
Dr. Mehmet Maxhuni

Mjek, kirurg, kirurg laparoskopist, doktor i shkencave të mjekësisë, profesor i asocuar. Lindi më 10 shkurt 1952 në fshatin Maxhunaj të Vushtrrisë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Vushtrri. Diplomoi në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë më 1977. Pas diplomimit punësohet mjek në Vushtrri.

Më 1980 filloi specializimin në lëmin e kirurgjisë së përgjithshme në QKUK të Prishtinës dhe e përfundoi më 08.08.1984 në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Zagrebit.

Studimet pasdiplomike i vijoi në Zagreb. Temën e magjistraturës me titull “Varshmëria e florës bakteriale nga ndryshimet pato-anatomike në traktin hepato-biliar” e mbron më 1996 në Prishtinë dhe merr titullin shkencor magjistër i shkencave të mjekësisë.

Ndërsa temën e doktoratës me titull “Përparësitë apo mangësitë e kolecistektomisë laparoskopike kundrejt kolecistektomisë laparotomike” e mbron në vitin 1998.

Në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës zgjidhet asistent i lëndës së Kirurgjisë më 1986, ndërsa më 2002 merr titullin profesor asistent dhe më pastaj Prof. i asoc. i kësaj lënde.

Si mjek ka bërë shërbime në të gjitha zonat e luftës me shumë suksese.

Janë disa raste që vlen ti përmendim. Isuf Gashi nga Drenoci i operuar në një kuzhinë në ambulancën e Gajrakut në Malishevë: të lënduara zorra e trashë, zorra e hollë dhe veshka e majtë, përfundoi me sukses, ndërsa sot është veteran i luftës.

Isuf Suka nga një fshat i Suharekës i plagosur në zonën e Malishevës, i operuar pas 5 dite në ambulancën “Nëna Terezë” në Prishtinë, me gjendje jashtëzakonisht të rëndë me peritonit helmues-toksik për shkak të perforacionit të zorrëve të holla, të shkaktuara nga plumbat e armëve. Sot gëzon shëndet të plotë, punon dhe vepron në Zvicër.

Luli simpatik i Llapit me lëndim të rëndë të këmbës dhe me një intoksikim shumë të zgjeruar. Sot edhe Luli gëzon shëndet fal punës së Prof. Mehmet Maxhunit. “Dëshironte që të falënderohej edhe publikisht në gazeta asokohe, por nga shkaqet e rrethanave të luftës nuk e lejova sepse do të pësoja nga armiku”, thoshte prof. Maxhuni.

Pas luftës zgjidhet shef i repartit të kirurgjisë hepatobiliare ku udhëheq me suksese të shkëlqyer, gjithashtu ka kryer operacionin më të ndërlikuar në abdomen, operacion Whipple Traverz Long. Nuk është hasur në Ballkan, pacienti Zeqir Zeqiri nga Batllava i operuar me 2001, sot gëzon shëndet të plotë.

Nga viti 2007 zgjidhet Drejtor i Kirurgjisë Abdominale, funksion që e ushtron mbi 10 vite.

Si Profesor i Kirurgjisë, ka qenë shef i katedrës së Kirurgjisë për dy mandate, gjithashtu edhe Prodekan i Fakultetit të Mjekësisë për dy mandate.

Është kirurgu i parë në Kosovë që ka operuar në ordinancat private në "Galaxy", Prishtinë. Ordinanca “Jeta”, Prishtinë, ordinanca “Kirurgjia” Prishtinë, ordinanca gjinekologjike dhe kirurgjike “Lindja”, Podujevë. Ordinanca Kirurgjike-Gjinekologjike “Jeta”, Preshevë.

Tani është pensionuar dhe merret me ushtrimin e praktikës private në Prishtinë.

Ka marrë pjesë në shumë kongrese e simpoziume dhe ka botuar rreth 25 punime shkencore-profesionale si autor dhe koautor.

Literatura: Prof. dr. Isuf Dedushaj, Enciklopedia faq.296 e plotësuar nga vet Prof.Dr. Mehmet Maxhuni.

Pjesë nga MONOGRAFIA KIRURGËT E PËRGJITHËM NË QKUK 1969 -2022 (në dorëshkrim).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat