Dita Botërore kundër Diabetit

Shëndetësia

Dita Botërore kundër Diabetit

Më: 14 nëntor 2016 Në ora: 07:23
Foto ilustrim

Sot është dita Botërore kundër diabetit dhe tradicionalisht kjo ditë mbledh të gjitha komunitetet mjekësore dhe shoqatat e diabetit në një zë të fuqishëm për të parandaluar këtë sëmundje të re globale.

Me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, Shoqata e Endokrinologëve dhe Diabetologëve të Kosovës dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë do të organizojnë konferenca për media për shënimin e Ditës Botërore të Diabetit.

Diabeti ka kosto të lartë shëndetësore, pasi që kjo sëmundje nëse nuk zbulohet me kohë, shkakton ndërlikime serioze , si sëmundje kardiovaskulare, verbim , sëmundje të veshkave etj.

Të dhënat më të fundit të Federatës Ndërkombëtare të Diabetit I kanë treguar se janë  rreth 387 milionë të prekur me diabet ku pritet që numri i tyre të arrijë në 600 milionë në vitin 2035 në të gjithë botën.

Numri më i madh i njerëzve me diabet i përket grup-moshës 40-50 vjeç.

Këshilla:

1- Pacientët me diabet duhet të kontrollojnë peshën

2- Duhet të kufizojnë sheqernat e rafinuara

3- Duhet të rrisin sasinë e fibrës në dietë

4- Yndyrat duhet të jenë vajra me 1 lidhje dyfishe (si p.sh. vaji i ullirit)

5- Duhet t’i shtojnë dietës së tyre arra

6- Efikase edhe bajamet

Si ndikojnë emocionet në ekuilibrin e diabetit?

Ekuilibri i diabetit është shumë i ndjeshëm ndaj emocioneve dhe gjendjes shpirtërore. Ekziston një lidhje e ngushtë funksionale ndërmjet sistemit endokrin dhe atij nervor. Qetësia shpirtërore dhe emocionale stabilizon gliceminë dhe lehtëson kontrollin e diabetit. Në të kundërt, shqetësimet, fatkeqësitë, grindjet, ankthi dhe frika, në përgjithësi pasohen nga çlirimi në gjak i adrenalinës dhe kortizoilit, hormone që bllokojnë veprimin e insulinës, duke u bërë shkak për rritjen e glicemisë. Në këtë rast mund të lindë nevoja për të rritur dozën e zakonshme të mjekimit që ju përdorni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat