Infermierët nga Shqipëria e Kosova favoritë për punësimin në Gjermani

Shëndetësia

Infermierët nga Shqipëria e Kosova favoritë për punësimin në Gjermani

Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 11:51
Foto ilustrim

Gjendje shqetësuese në përkujdesjen e personave të moshuar në Gjermani. Sipas të dhënave të Qeverisë federale gjermane, në vend mungojnë 25 mijë infermierë për përkujdesje ndaj të moshuarve.

Për ta zbutur këtë gjendje, Gjermania ka ndërmend ta angazhojë fuqi punëtore jashtë vendit. Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn ka thënë se sytë për këtë fuqi punëtore janë drejt Kosovës dhe Shqipërisë.

E përditshmja gjermane “Bild” ka vizituar një shkollë të lartë të trajnimit të infermierëve në Prishtinë, të menaxhuar nga një familje sipërmarrëse gjermane. Aty trajnohet e ardhmja e infermierisë gjermane për të moshuarit, shkruan “Bild”.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn do të kërkojë ndihmë në Evropën Juglindore për zgjidhjen e problemit me mungesën e personelit në shëndetësi. Në veçanti në Kosovë dhe Shqipëri ka një potencial shumë të lartë të fuqisë së re punëtore, deklaroi ai për gazetën gjermane “Bild am Sonntag”.

“Përgatitja e personelit atje është shpesh më e mirë se sa mendojmë ne”, tha Spahn. “Por ka shumë probleme të mëdha me dhënien e vizave”.

Politikani i CDU-së thotë se “Ajo që nuk mund të kuptoj fare është se këta persona të përgatitur dhe të shkolluar duhet të presin shpesh deri në dhjetë muaj për një vizë për Gjermani. Këto procedura duhet të përshpejtohen”. Edhe njohja e diplomave zgjatë tepër gjatë, mendon ministri.

Spahn pohon se Gjermania ka nevojë për rreth 50,000 persona që punojnë në shëndetësi dhe sektorin e përkujdesjes për të moshuarit.

“Duhet të kërkojmë ndihmë në vendet jashtë Gjermanisë”, tha ai. Në Gjermani nuk ka më gati asnjë spital apo institucion për përkudjesjen që të mos ketë fuqi punëtore nga vendet tjera.

Ministri i Punës Hubertus Heil (SPD) planifikon të fusë të drejtën që të huajt të marrin vizë për gjashtë muaj me qëllim që të kërkojnë punë në Gjermani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat