Veshjet e kompjuterizuara për të monitoruar shëndetin

Shkencë & Teknologji

Veshjet e kompjuterizuara për të monitoruar shëndetin

Më: 5 nëntor 2020 Në ora: 15:54
Foto Ilustrim

Studiuesit e kompjuterizimit të tekstileve, janë duke krijuar veshje që mund të monitorojnë parametrat shëndetësorë si rrahjet e zemrës dhe frymëmarrjen. Ndërsa përpjekjet për distancimin shoqëror vazhdojnë dhe përdorimi i telemjekësisë rritet, ndikimi i këtyre risive për kujdesin shëndetësor në distancë bëhet më i rëndësishëm.

Këto kohë, vizita tek mjeku është pak a shumë biseda me të në internet. Por në të ardhmen, mund të mjaftojë thjesht të vishesh.

Studiuesit e tekstileve të kompjuterizuara po krijojnë sensorë që mund të lahen dhe që mund të masin parametrat jetësorë përmes rrobave.

“Fija jonë është aktualisht një sensor që më pas e thurim ose e endim në një strukturë specifike.”

Tony Chahine është drejtor ekzekutiv i kompanisë së re kanadeze Myant që po teston një linjë të veshmbathjeve elektronike.

"Ne përdorim një sinjal elektrik nga trupi që e marrim përmes një fije përçuese".

Ai e krahason atë me analizën e një elektrokardiogrami në spital.

“Teli e merr sinjalin elektrik nga zemra. . . në thelb ne po bëjmë të njëjtën gjë, por përmes fijes".

Një këmishë prototip në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts ka sensorë elastikë, që i rezistojnë ujit, dhe që janë të futura në mënyrë të padukshme në tekstilin e rrobave.

“Ne e thurim këmishën digjitale sipas trupit tuaj në mënyrë që të jetë e rehatshme megjithëse ka pajisje elektronike brenda”, thotë Canan Dagdeviren, ndihmës profesore në MIT.

Veshjet e personalizuara mund të bëhen për çdo lloj trupi, madje edhe për foshnje.

Siveshjet e krijuara nga instututi MIT edhe ato të kompanisë Myant mbledhin të dhëna fiziologjike si rrahjet e zemrës, temperaturën, frymëmarrjen dhe lëvizjet.

"Kjo lloj pajisje, krijon një hartë të trupit tuaj gjatë javës, muajit ose gjatë gjithë stinëve", thotë Canan Dagdeviren.

"Është një pamje më e plotë shëndetit të pacientit që mund të informojë si mjekët ashtu edhe anëtarët e familjes, përmes moduleve Bluetooth që transmetojnë të dhënat".

Dr. Milos Popovic po teston veshjet e kompanisë Myant dhe thotë se teknologjia është veçanërisht e dobishme për të moshuarit.

“Ne e shohim këtë si një zgjidhje për të sjellë kujdesin shëndetësor tek pacientët në shtëpitë e tyre dhe për të mundësuar njerëzit që të trajtohen në shtëpi pa pasur nevojë që të vijnë në spital. Dhe kjo ul barrën e spitalit në mënyrë që të trajtojmë më shumë pacientë”.

Një vështrim në kujdesin shëndetësor të së ardhmes, në kohën e distancimit social.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat