​Siemens prezantoi trenin ekologjik me hidrogjen

Shkencë & Teknologji

​Siemens prezantoi trenin ekologjik me hidrogjen

Më: 8 maj 2022 Në ora: 23:20
Foto ilustrim

Konglomerati gjerman “Siemens” prezantoi një tren motorik me hidrogjen, i cili u zhvillua me operatorin hekurudhor gjerman “Deutsche Ban”, me qëllim që të jetë i pari që do të nisë trafikun në vitin 2024 në transportin rajonal.

Treni me vagon special për karburant – hidrogjen duhet të “zëvendësojë trenat me naftë në transportin rajonal”, thuhet në njoftimin e “Deutsche Ban”.

Përdorimi i hidrogjenit, një lëndë djegëse gazi pa produkte ndotëse, është pjesë e një projekti nga qeveria gjermane që dëshiron të "elektrizojë 75 për qind të rrjetit hekurudhor deri në vitin 2030", tha Michael Teurer, sekretar shtetëror në Ministrinë e Teknologjive Digjitale dhe Transportit.

Modeli i ri i trenit i quajtur “Mireo Plus X” punon me “hidrogjen jeshil”, i prodhuar me “energji të pastër”, dhe pas djegies lëshon vetëm avuj uji dhe ujë.

"Çdo tren i dorëzuar do të kursejë deri në 45.000 ton dyoksid karboni për një jetëgjatësi 30-vjeçare në krahasim me udhëtimet përkatëse me makinë," tha Michael Peter, kryeshef ekzekutiv i Siemens Mobility.

Në varësi të konfigurimit, treni do të mund të përshkojë 800 deri në 1000 kilometra, me shpejtësi maksimale deri në 160 kilometra në orë, thuhet në njoftim.

Deutsche Ban ka mbështetur zhvillimin e stacioneve të furnizimit që mund të mbushin një rezervuar treni me hidrogjen aq shpejt sa një rezervuar autobusi me naftë.

"Mireo Plus H" do të testohet në linjat Baden-Württemberg në vitin 2023 dhe do të jetë në trafik të rregullt në 2024 midis qyteteve Tübingen, Horb dhe Forzheim.

Me këtë program, Siemens po përpiqet të arrijë konkurrencën e saj franceze Alstom, e cila tashmë shet trena pasagjerësh me hidrogjen: 41 trena u porositën nga dy lande gjermane dhe testet u kryen në Austri, Holandë, Poloni, Suedi dhe Francë.

Alstom dhe Engie po zhvillojnë lokomotiva të forta mallrash të fuqizuara nga një qelizë karburanti hidrogjeni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat