Varrezat katolike në Shkodër, miliona lekë për pak metra

Shkodra

Varrezat katolike në Shkodër, miliona lekë për pak metra

Më: 7 mars 2019 Në ora: 06:23
Pamje nga video

Tregtia me varret ka marrë përmasa të frikshme disa vite më parë në qytetin e Shkodrës. Këto janë varrezat katolike të Rrmajt. Ato janë shpallur monument kulture për vlerat historike dhe arkitekturore.

Datojnë që në vitet 1600 dhe këtu prehen figura të njohura të kombit shqiptar.

Muzikantë, shkrimtarë, artistë, arkitektë dhe patriotë kanë banesën e përjetshme në këto varreza. Më herët këtu është varrosur edhe poeti i madh at Gjergj Fishta.

Historia e këtyre varrezave dhe shpallja monument kulture u dha atyre famë të madhe. Shumë familje katolike ishin gati të paguanin miliona për një varr familjar në këtë vend. Por kjo varrezë ishte e vogël dhe nuk kishte vende të lira. Pas vitit 2010, varrezat e Rrmajt u kthyen në një treg të zi. Duke mos pasur as roje dhe as mirëmbajtje aty filluan të shkatërroheshin varret më të vjetër për tu shitur si të reja. Këtë e nisën varrmihësit. Varret qindra vjeçare, që nuk i vizitonte më njëri u prishën. U lyen me gëlqere dhe i shitën për të rinj.

“Erdha për të vizituar varrezat dhe punëtorët më ofruan varr me lekë. Kuptova që po bëhej kasaphane. Patëm shumë familje që ankoheshin se u kishte humbur varri i tyre parëve, por nuk i kemi mbajtur shënim emrat e familjeve”, tha Dom Nikë Ukgjini, studiues.

Dëmi ka qenë i madh. Janë më dhjetëra familje shkodrane që jetojnë në emigrim dhe që nuk i gjejnë dot më varret e të parëve.

Fatmirësisht kjo situatë u ndalua. Kisha katolike që menaxhon edhe këto varreza ka konktraktuar një kompani private, e cila mirëmban dhe ruan varrezat e Rrmajt. Pronari i kësaj firme, Prek Kulla, shprehet se sot fenomene të tilla nuk ekzistojnë më. Për këtë ai ka pajisur këto varreza me ndriçim natën dhe me kamera sigurie 24 orë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat