Kush është kryepolici i ri i Shkodrës, Niko Brahimaj

Shkodra

Kush është kryepolici i ri i Shkodrës, Niko Brahimaj

Më: 30 mars 2019 Në ora: 21:26
Niko Brahimaj

Niko Brahimaj, u emërua këtë të shtunë drejtor i Policisë së Shkodrës në një situatë jo të zakontë në kryeqendrën e Veriut. Vetëm ditën e sotme dy vëllezër u vranë në një atentat mafioz në pragun e shtëpisë së tyre në lagjen “Guerile”. Mbi 10 të ekzekutuar në 8 muaj vetem në qytetin e Shkodrës, të vënë në qendër të vëmendjes kohët e fundit për disa grupe të fuqishme kriminale në fushën e drogës, prostitucionit, siç janë anëtarë të fisit Bajri, skema fajdesh e gjobvënësish, me dhjetëra të arrëstuar por sërish me krimin në rrugë që nuk rresht së shënuari viktima.

Niko Brahimaj, ka mbajtur poste të larta drejtuese në Policinë e Shtetit. Së fundmi ishte drejtor për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku nuk ka hezituar të shprehë hapur edhe në një takim të fundit kritikat për Policinë e Vlorës sa i përket luftës anti-kanabis. Ka mbajtur detyrën e drejtorit të Forcave Operacionale, që ka në varësi edhe forcat elitë të Policisë së Shtetit, RENEA-n.

Ai njihet edhe për ngjarjen e 20 Nëntorit të vitit 2000, ku një skuadër e drejtuar nga prej tij shoqëroi në polici Sali Berishën në atë kohë kryetar i opozitës së athershme, pas djegies së komisariatit të Tropojës. Niko Brahimaj mbante postin e nëndrejtorit të Policisë së Shtetit, në kohën kur në krye të saj qendronte Bilbil Mema. Në vitin 2005, pak muaj pas ndryshimit të pushtetit, Niko Brahimaj u transferua në Policinë e Tropojës. Në vitin 2013 Niko Brahimaj u rikthye  ku drejtoi Policinë e Lezhës.

Të shumta detyrat e tij, por Shkodra duket se do të mbetet sfida më e madhe. Një qytet që duket se është kthyer në strehën e keqbërësve dhe që ndër vite ka “ngrënë” kokat e shumë drejtuesve të policisë. Atentati i dyfishtë ndaj vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali çoi në shkarkimin e kryepolicit të Shkodrës, Vehbi Bushati. Më herët në këtë qark ka qenë edhe Gjovalin Loka, drejtues që u duk se bëri goditje të forta në fushën e grupeve që merreshin me trafik droge, por nuk kaloi shumë dhe ai lëvizi në një detyrë të rëndësishme, sic është posti aktual i zëvendësdrejtorit të Policisë së Shtetit, krahu i djathtë i kryepolicit Ardi Veliu.

Policia e Shkodrës është drejtuar edhe nga Alban Çela, dhe drejtues të tjerë me emër, të cilët nuk kanë qëndruar më shumë se dy vite në këtë detyrë.

Edhe Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj sot nga Shkodra ku mbërriti pas ngjarjes së rëndë, shprehu besimin, se si një ndër drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit, Niko Brahimaj do të çojë drejt zgjidhjes së situatës së vështirë në Shkodër. Atentati i sotëm në qytetin e Shkodrës dyshohet se erdhi në valën e nje serie krimesh që bazën e kanë në një hakmarrje, luftë mes fisevë Lici dhe Bajri.

Djali dhe njëheresh nipi i dy vëllezërve të vrarë, Astmer Bilali është arrestuar si anëtar i bandës së Bajrave në Shkodër në kuadër të operacionit Oazi, ndërkohë që ka qenë i dyshuar për disa ngjarje në Shkodër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat