Shkodër, arsimi profesional mundësi punësimi në turizëm

Shkodra

Shkodër, arsimi profesional mundësi punësimi në turizëm

Më: 16 prill 2019 Në ora: 16:04
Shkodër

Arsimi profesional, mbetet një nga mundësitë më të mira për punësimin e të rinjve, që zgjedhin të profilizohen në fusha të ndryshme, por veçanërisht në profilet e shërbimeve, siç është Hoteleri-Turizmi, një nga degët më të kërkuara në industrinë e turizmit, e cila po zhvillohet me ritme të jashtëzakonshme.

Në fokus të kësaj ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi zhvilloi një bashkëbisedim me nxënës të shkollës profesionale ”Hamdi Bushati”, Shkodër për nevojën e që ka tregu i turizmit për të punësuar të rinj profesionist.

Në këtë bashkëbisedim së bashku me ministrin Klosi ishin të pranishëm deputeti i Partisë Socialiste Ditmir Bushati dhe prefekti i Shkodrës.

“Në Shkodër kemi një pol shumë të rëndësishëm të arsimit profesional, kemi të paktën 13 shkolla publike dhe 1 shkollë private dhe realisht ka shumë më tepër nevojë nga sa ka sot. Prandaj, unë mendoj që investimet duhet të vazhdojnë, por ajo që duhet më shumë është që ju vetë të keni më shumë hapësira për praktika pune, në industri dhe për ata që mësojnë në Hoteleri-Turizëm besoj që janë në vitin e dytë dhe të tretë, i lejon mosha për tu punësuar pranë një biznesi gjatë sezonit të verës, ku ka kërkesa pa fund. Dhe realisht kemi kërkesa jo vetëm nga strukturat akomoduese në Shkodër, Velipojë, Shëngjin, por kemi kërkesa të vazhdueshme edhe nga rajoni, që duan të kenë djem dhe vajza për ti punësuar, qoftë në Malin e Zi, qoftë në Kroaci”, tha ministri Klosi, gjatë bashkëbisedimit me nxënësit.

Klosi tha gjithashtu se qeveria shqiptare ka realizuar një marrëveshje me qeverinë italiane, për të punësuar një numër të konsiderueshëm djemsh dhe vajzash gjatë sezonit, në Hoteleri-Turizëm, një arsye pse të rinjtë duhet të investohen në profile, për të cilat tregu i punës ka më shumë nevojë.

Deputeti Ditmir Bushati theksoi se ky moment i rëndësishëm në zhvillimin e turizmit, duhet ti bëjë të rinjtë të reflektojnë për të ardhmen e tyre.

“Ne kemi një deficencë të madhe për sa i përket profesionistëve dhe Shkodra është e pozicionuar shumë mirë në këtë drejtim. Gjithashtu unë e di, që përveç se kemi një shkollë të standardeve më të mira këtu, kemi edhe një ekip të dedikuar dhe ekzistojnë të gjitha mundësitë që ju të përgatiteni për tu aftësuar që në këtë moment, që nesër pasnesër në treg të jeni sa më konkurrues, qoftë në Shkodër, por edhe përtej duke qenë se Shkodra është një qytet dhe një rajon ndërkufitar”, u shpreh deputeti Bushati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat