PD protestë në aksin hyrës në Shkodër, Rama: Fajin ua kanë udhëheqësit e verbër

Shkodra

PD protestë në aksin hyrës në Shkodër, Rama: Fajin ua kanë udhëheqësit e verbër

Më: 26 prill 2019 Në ora: 11:44
Foto

Protestuesit e opozitës shqiptare kanë bllokuar rrugën në urën e Bahçallëkut në Shkodër për të penguar kalimin e kryeministrit Edi Rama, i cili do të jetë sot në Malësinë e Madhe në kuadër të takimeve “Bashkia që duam”.

Protestuesit me mbështetjen e ish-deputetëve të PD, Flamur Noka dhe Bardh Spahija kanë bllokuar dy akset hyrëse, tek Ura e Bahçallëkut dhe nga Mjeda në drejtim të urës së Spatharit.

Në rrugën hyrëse për në Shkodër, protestuesit kanë vendosur goma dhe iu kanë vënë flakën.  Protestuesit e opozitës kanë bllokuar edhe një ambulancë të Urgjencës Kombëtare që po kalonte në urën e Bahçallëkut.

Ndërkohë në vend kanë shkuar edhe forca të shumta policie të cilët u kanë kërkuar qytetarëve që të largohen pasi kjo protestë është e paligjshme gjë e cila ka shkaktuar edhe përplasje mes tyre.

Rama shprehu keqardhjen për bllokimin e rrugës, ndërsa theksoi se “fajin atyre ua kanë udhëheqësit e verbër”.

“Rrugës për Malësi të Madhe. Sinqerisht i keqardhur për grupet e vogla të njerëzve të mbledhur kthesave nga ata që pasi e çuan në qorrsokak PD-në, orvaten më kot të çojnë në qorrsokak edhe Shqipërinë! Pak nga pak edhe këta njerëz do e kuptojnë se fajin ua kanë udhëheqësit e verbër”, tha Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat