Përplasja për 30 qershorin dhe paradoksi i Shkodrës dhe Vorës

Shkodra

Përplasja për 30 qershorin dhe paradoksi i Shkodrës dhe Vorës

Më: 2 nëntor 2019 Në ora: 17:06
Foto

Shkodra dhe Vora kanë nxjerrë në dritë problematikën e vërtetë për votimet e 30 qershorit. Prej disa muajsh kryeministria ende nuk ka bërë një kërkesë në presidencë për zgjedhjet në kryeqendrën e veriut, ndërsa e njëjta situatë pritet të  zhvillohet dhe në Vorë pas shkarkmit të Agim Kajmakut. Por ndërsa mazhoranca mbështet argumentin në zgjedhjet e 30 qershorit, Kreu i Shtetit ka firmosur anulimin e kësaj date, çka e bën të pamundur zhvillimin e votimeve të parakohshme në këto  dy bashki.

Katër  muaj pas zgjedhjeve të 30 qershorit, dy bashki në vend ndodhen në situatë paradoksale, Shkodra me kryetar me mandat të përfunduar e Vora pa kryetar.

Kjo situatë duket se do të vazhdojë gjatë për shkak të krizës politike dhe institucionale.

Dekriminalizimi, preku në fillim kandidatin socialist për bashkinë e Shkodrës,Valdrin Pjetrin, i cili u tërhoq nga marrja e detyrës, ndërsa pak ditë më parë,  pas rreth 3 muajsh në drejtimin e bashkisë së Vorës u shkarkua Agim Kajmaku.  

Vakancat kanë krijuar një paqartësi institucionale, ndërsa është kthyer në objekt për thellimin e krizës dhe mosmarrëveshjes së institucioneve Qeveri-Presidencë.

Duke ju referuar rastit të Vorës, kodi zgjedhor parashikon një procedurë të thjeshtë: Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve pas shkarkimit të kryebashkiakut ka vënë në dijeni institucionin e kryeministrit.

Ky i fundit duhet të njoftojë zyrtarisht institucionin e presidentit, ndërsa në nenin 10 të kodit zgjedhor, thuhet se Kreu i Shtetit nga momenti i marrjes së dijenisë ka 48 orë kohë të mandatojë datën e re të zgjedhjeve të cilat  mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit.  Ky moment pritet të riciklojë krizën, për faktin se Presidenti nuk e njeh 30 qershorin e si rrjedhojë as kryebashkiakët e dalë nga ai proces.

Burimet zyrtare të televizionit Ora pranë Presidentit bënë me dije, se ende kryeministria nuk ja ka njoftuar vakancën Kreut të Shtetit.

Por tashmë në një situatë të pazakontë ndodhet Shkodra. Voltana Ademi, edhe pse me mandat të përfunduar vijon detyrën, me nje këshill bashkiak 100 përqind socialist.

Prefekti ka vënë në dijeni Presidencën, kryeministrinë dhe KQZ për këtë çështje. Por deri më tani ende prej zyrës së kreut të qeverisë nuk është ndërmarrë nisma për të kërkuar një datë të re, çka në mënyrë të paprecedentë e lë situatën në mënyrë të paqartë.

Më herët, Kreu i Shtetit ka theksuar se zgjidhja ishte të votimet në 13 tetor, kjo edhe në kushtet kur anulimi i zgjedhjeve të 30 qershorit, nga ku u zgjodhen dhe Pjetri e Kajmaku u publikua në Fletoren Zyrtare.

Kjo e bën edhe më të paqartë se në çbazë argumentesh mundet që Kryeministri të kërkojë një datë të re, në kohën kur i vetmi institucion që mund të interpretojë situatën është Gjykata Kushtetuese, e cila ende nuk është ngritur ndërsa e vetmja padi për këtë datë është ajo e Voltana Ademit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat