Voltana Ademi përballet me këshilltarët socialistë, miratojnë buxhetin

Shkodra

Voltana Ademi përballet me këshilltarët socialistë, miratojnë buxhetin

Më: 21 dhjetor 2019 Në ora: 16:04
Voltana Ademi

I cilësoi ilegjitim dhe menjëherë pas rezultatit të zgjedhjeve të 30 qershorit, la të nënkuptohet se me ta nuk do të kishte bashkëpunim.

Por afro 6 muaj nga këto deklarata, gjërat kanë ndryshuar dhe kryebashkiakja në detyrë e Shkodres, Voltana Ademi u përball për herë të parë më këshilltarët socialistë.

Madje atyre që deri dje nuk i njihte, pasi ju prezantoi paketën fiskale arriti tu marrë edhe plot 34 vota, duke e miratuar këtë të fundit.

E pyetur nga mediat, ajo thotë se bashkëpunimi për paketën fiskale dhe buxhetin është detyrë institucionale dhe nuk lidhet me atë se çfarë përfaqëson kjo trupë.

Voltana Ademi, kryetare e bashkisë Shkodër: Kjo aspak nuk ka lidhje me faktin që çfarë dhe si përfaqëson kjo trupë.

Ndërsa për të treguar se i mbetet qëndrimit të mëparshëm për zgjedhjet, ajo bën publike edhe përgjigjen e ardhur pas shqetësimit të ngritur në Strasburg tek kongresi i autoriteteve vendore.

Voltana Ademi, kryetare e bashkisë Shkodër: Është vendosur që të vijohet me një vizitë të nivelit të lartë nga kongresi në Shqipëri në datat 4-6 shkurt 2020.

Por çfarë ndodh nëse gjykata e re kushtetuese i rrëzon zgjedhjet e 30 qershorit, a janë të ligjshme të gjitha këto vendimmarrje? Ademi në këtë rast e pret këtë vendim ndërsa shigjeton qeverinë shqiptare.

Voltana Ademi, kryetare e bashkisë Shkodër: Nëse do të kemi ankesa mendoj se gjykatat e tjera të lira në vendet evropiane, në Strasburg do të mund të vijojnë sikurse jo vetëm për qytetarët, por edhe për institucionet dhe kjo është një mundësi tjetër që Shqipëria ka.

Faktin që Ilir Meta nuk po shprehet për Shkodrën që ka mbetur së bashku me Vorën pa zgjedhje të reja, Voltana Ademi nuk pranon të komentojë nëse është qëndrim i drejtë apo jo. Nga ana tjetër edhe për 2020 ajo shton se qeveria ka parashikuar zero fonde për Shkodrën, ndërsa shpresat e vetme i ka tek të ardhurat vendore që siguron kjo njësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat