Miti i krijimit të qytetit shqiptar që u ngrit mbi trupin e një gruaje

Shkodra

Miti i krijimit të qytetit shqiptar që u ngrit mbi trupin e një gruaje

Më: 30 shtator 2020 Në ora: 23:11
Shkodra jetoi në shekuj mbi flijimin legjendar.

Legjenda e Rozafës është një legjendë e përcjellur brez pas brezi. Gjithçka fillon me një legjendë, gjithçka vazhdon si në legjendë. Rozafa ishte aty, para se Krishti të lindte, ajo është aty edhe sot. Për ata që e njohin legjendën e Rozafës, e kanë të qartë se në muret e saj prehet një trup i gjallë nëne.

Gruaja ‘Rozafë’ lutet që t’ia lënë njërin gji jashtë, për të ushqyer me qumësht djalin e saj të vogël. Me trupin e saj, Rozafa i dha jetë një fëmije, me sinqeritetin dhe vetë-flijimin e saj, ajo i dha jetë një qyteti. Mbi të u ngrit një kala, tre vëllezërit e legjendës gjetën mirëkuptim mbi murosjen e kësaj gruaje. Si gjithmonë, dikush flijohet që diçka më e madhe të jetojë. Dhe Shkodra jetoi në shekuj mbi flijimin legjendar.

Vetë historia njerëzore, në turbulencën e saj nën-ndërgjegjësore, ka provuar paarsyen e vet paradoksale:

Diçka e shenjtë jepet, diçka e shenjtë fitohet! Jeta është e shenjtë. Dhe brezat që vijnë, gëzojnë mbi atë që u shua. Rozafa, kjo grua naive, mund të kishte vdekur si të gjitha të tjerat – e harruar, por ajo vdiq, pa e ditur as vetë, për të jetuar si legjendë. Ky paradoks i arsyes njerëzore na çon tek një fillim: Plaku orakull, u tregon vëllezërve se duhet të murosin njërën nga gratë, që muri të qëndrojë.

Kalaja e Rozafës në Shkodër është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës. Ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës e rrethuar prej ujërave të lumenjve Bunë, Drin dhe Kir. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese të cilat zënë një sipërfaqe rreth 9 hektarë tokë. Kalaja hyrjen kryesore e ka nga verilindja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat