Atentati ndaj kreut të Policisë Bashkiake, Gjykata lë në burg dy të rinjtë e arrestuar

Shkodra

Atentati ndaj kreut të Policisë Bashkiake, Gjykata lë në burg dy të rinjtë e arrestuar

Më: 19 tetor 2020 Në ora: 07:32
Pamje nga vendi i ngjarjes

Gjykata e Shkodrës ka vendosur dje masën e sigurisë arrest me burg për dy të rinjtë I.H 19 vjeç dhe V.B 23 vjeç, të cilët akuzohen për atentatin ndaj shefit të Policisë Bashkiake në Malësinë e Madhe, Mentor Hasanaj, në 11 tetor. Të akuzuarit mësohet se në seancën gjyqësore të zhvilluar ditën e djeshme, nuk kanë folur, por janë përfaqësuar nga avokatët mbrojtës. Ku sipas burimeve këta të fundit, kanë kërkuar një masë lehtësuese duke u bazuar në faktin që ata janë dorëzuar, por kjo kërkesë nuk është marrë në konsideratë nga trupa gjykuese.

Referuar dëshmisë të dhënë para 3 ditësh në polici, 19-vjeçari është shprehur se ka qëlluar Mentor Hasanajn për arsye pronësie, bazuar te një konflikt i vjetër që kishte dëgjuar nga babai i tij. Më tej i riu ka shtuar se në momentin që ka qëlluar drejt makinës së shefit të policisë ka qenë nën efektin e alkoolit dhe e ka bërë pa e menduar një gjë të tillë.

"Unë e kam qëlluar shtetasin Mentor Hasanaj, por e kam bërë pa paramendim. Nuk kam qenë i parapërgatitur për një gjë të tillë. Thjesht e kam parë duke kaluar në rrugë dhe i jam vënë mbrapa. Armën e kam patur më vete sepse ka pasur disa kohë që e kisha dhe nuk është se e kam marrë atë ditë. I jam vënë mbrapa dhe e kam qëlluar, por në ato momente kam qenë disi nën ndikimin e alkoolit. Thjesht e kam parë rastësisht teksa kalonte me makinë dhe e kam ndjekur në atë moment. Arsyeja e plagosjes lidhet me një problem pronësie tonin. Është një konflikt i vjetër pronësie mes nesh dhe unë këtë histori e kam dëgjuar nga babai dhe kur e kam parë në atë moment duke qenë edhe i alkoolizuar e kam ndjekur dhe e kam qëlluar por nuk kam pasur një plan të përgatitur", ka thënë ai.

Shefi i Policisë Bashkiake, i shpëtoi mrekullisht atentatit pasi mori një plumb në kokë dhe 2 të tjerë në trup, ndërsa tani ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Gjatë atentatit u plagos edhe babai i Mentor Hasanajt dhe doli pa u lënduar gruaja e tij, të cilët ndodheshin në makinë në momentin që është qëlluar drejt saj.
Detaje nga ngjarja

Atentati me armë zjarri ndaj drejtorit të Policisë Bashkiake në Malësinë e Madhe, Mentor Hasanaj, i cili tronditi qytetin e Shkodrës paraditen e 11 tetorit, dyshohet se u bë nga një 19-vjeçar, arrestimi i të cilit u bë 4 ditë më parë. Konkretisht, bëhet fjalë për 19-vjeçarin me iniciale I. H, i cili dy ditë më parë është ndërgjegjësuar duke u dorëzuar në polici, kjo falë thirrjeve nga babai i tij Arben Hasanaj. "Thirrje publike, drejtuar djalit tem Ilirianit të dorëzohesh një orë e më parë në Drejtorin, komisariatin, apo pikën me të afërt të policisë së shtetit. I lutem çdo njeriu që din apo ka dieni të më njoftojë. Baba i jot të pret një orë e me parë kam ardh jam në Shqipëri. Baba te ka shpirt", shkruan Hasanaj.

Teksa i ka bërë thirrje djalit të dorëzohet por edhe gjithkujt që ka informacione për të që të ndihmojë drejtësinë, Arben Hasanaj ka deklaruar se me familjen e shefit të Policisë Bashkiake nuk kanë pasur kurrë konflikte, madje shtoi se gëzon një respekt të madh për to. Po ashtu edhe për bashkëpunëtorin V.B ka qenë i ati ai që i ka kërkuar të dorëzohet në policinë e Shkodrës.

Ndërkohë referuar dinamikës së ngjarjes, 19-vjeçari banues në lagjen “Tepe”, Shkodër, 6 orë pas atentatit pak metra ku ndodhi sulmi, në vendin e quajtur “Livadhe” ka fshehur motomjetin pa targa me të cilën ka qenë duke udhëtuar ndërsa ka qëlluar drejt makinës ku ndodhej Mentor Hasanaj, babai i tij dhe bashkëshortja. Edhe pse I. H., është djali i ish- policit, Arben Hasanaj, bëhet e ditur se edhe pse kanë të njëjtin mbiemër me atë të shefit Mentor Hasanaj, është konfirmuar se ata nuk janë të afërm me njëri- tjetrin. Ndërkohë referuar dëshmisë së të afërmve, rreth motiveve të mundshme për këtë ngjarje, ata kanë deklaruar se nuk kanë konflikte me asnjeri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat