Qese me fara kanabisi, do t’i shisnin për 16 mijë euro/ Dy të arrestuar në Shkodër

Shkodra

Qese me fara kanabisi, do t’i shisnin për 16 mijë euro/ Dy të arrestuar në Shkodër

Më: 20 janar 2021 Në ora: 09:57
Ilustrim

Policia e Shkodrës realizoi operacionin “Gruda”, ku goditi një rast të tentativës për shitje të farave të kanabisit, me qëllim kultivimin e tyre dhe arrestoi dy persona.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:

J. M., 43 vjeç dhe K. K. , 25 vjeç, të dy banues në fshatin Grude e Re, Shkodër.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tyre, në ambientet e një lokali në lagjen “Manush Alimani”, Shkodër, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një qese me fara të bimës cannabis sativa dhe një qese me lëndë narkotike cannabis sativa.

Në vijim të veprimeve është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit K. K., ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy qese me lëndë cannabis sativa dhe një sasi farash të bimës cannabis sativa.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar në total rreth 4000 fara cannabis sativa dhe 140 doza lëndë narkotike cannabis sativa.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet lidhjeve të tyre jashtë vendit, kishin siguruar 4000 fara të bimës narkotike cannabis sativa, të cilat do t’i shisnin kundrejt pagesës 16.000 euro.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat