Ramës i duket vetja si jashtë shtetit në Shirokë: Shkodra në stanjacion nga qorrat e marrosur pas dy gishtave

Shkodra

Ramës i duket vetja si jashtë shtetit në Shirokë: Shkodra në stanjacion nga qorrat e marrosur pas dy gishtave

Më: 31 mars 2021 Në ora: 18:45
Edi Rama

Kryeministri Rama zgjodhi Shirokën, fshatin turistik bri liqenit, ndër zonat e pakta atje që ka prekur investimet e  socialistëve, për të prezantuar kandidatët për deputetë.

Rama ju referua pikërisht transformimit të kësaj zone, për të treguar standardin që ofron qeveria e tij.

I vetëdijshëm për tkurrjen e votës së socialistëve në këtë qytet, Rama fajin e gjeti te qytetarët shkodranë, që janë vërbuar dhe shurdhuar pas dy gishtave të PD.

Akuzat nuk i kurseu as ndaj kryebashkiakes, Voltana Ademi.

Edi Rama: Është kënaqësi të jemi në këtë oaz që të bën të ndjehesh si jashtë shtetit. Fatkeqësisht ndryshim  dramatik fillon kur hyn në atë pjesë ku nuk është më dora e Zotit por dora e robit që ka pasur fjalën e vet, që këtu në Shkodër ka qenë një dorë fatkeqësisht shumë e mnvrapshtë në shumë vite dhe ka bërë që Shkodra të jetë më e prapabetura krahasuar me gjithë qytetet e tjera që përmes Rilindjes urbane dhe bashkëpunimit të ngushtë me bashkitë, jo vetëm të majta por edhe të të djathta. Në Tropojë kemi bërë punë goxha të bukura të filluara me kryetarin e Bashkisë së PD dhe të vazhduara me kryetarin e Bashkisë së PS.

Në Shkodër për fat të keq na ka ngec sharra në gozhdë se këtu gozhda është një lloj gozhde që nuk ka çekiç dhe as sharrë që i bën derman. Është një gozhdë e ngulur prej 30 vitesh në tru dhe prej 30 vitesh ndryshket e ndryshket dhe e than trurin e njeriut të kthyer në tifoz pa lidhje të politikës dhe partive, në rastin konkret të PD, duke i dhënë besim pa kushte pavarësisht se hendeku i prapambetjes thellohet në krahasim me të tjerët. Paulini përmendi Malësinë e Madhe ku realisht ndryshimi është i prekshëm jo thjesht për ata që e vizitojnë por për njerëzit e vetë Malësisë së Madhe që kanë filluar të investojnë kursimet e emigracionit në ndërtimin e pikave turistike dhe që po vazhdojnë të paraqesin projekte dhe të kërkojnë gjithnjë e më shumë të investojnë atje.

Ata investojnë atje se ka ndryshuar mjedisi, kushtet, marrëdhënia e me një territor që deri dje ishte i braktisur në mëshirë të fatit. Pa shkuar te Malësia e Madhe, shikoni Pukën. Ishte një gropë e zezë, sot Puka ka lënë Shkodrën mbrapa në aspektin e zhvillimit, transformimit, kapacitetit për të ndërtuar rrugën e vet të të ardhmes. Shkodra vazhdon e vegjeton në një stanjacion që është një automallkim që i bëhet nga vetëvetja, nga tifozllëku, marrëzia e komunizmit dhe anti-komunizmit që janë histori të të shkuarës. Në aspektin e filozofisë qeverisëse pala që është anti-komuniste dhe antifashiste është PS, në sensin anti-totalitare dhe anti-dogmave.

Këto nuk ju interesojnë qorrave që i kanë të dy sytë në ballë, shurdhërve që i kanë të dy veshët në vend por kanë mendjen tapë të dehur 30 vjet me dokrra dhe dëngla, të zhytur dhe mbytyr në pluhurin e prapambetjes. Nuk dua të shfajësoj veten dhe të themi se nuk kemi asnjë borxh, përkundrazi kemi borxhe ndaj Shkodrës. Shkodrën e pengon verëbëria dhe shurdhëria të marrosur ndaj tifozllëkut politik partiak, që nuk duan t’ia dinë fare për veten e tyre, familjen e tyre por shkojnë qorrazi dhe japin votën pas britmave, dy gishtave, sharjeve, mallkimeve, degradimit.

Duke njohur edhe borxhet e veta ndaj Shkodrës, votën ua kërkoi pikërisht për ti shlyer ato dhe borxhet e kundërshtarëve.

Edi Rama: Sidoqoftë ne nuk jemi pa borxhe ndaj Shkodrës. Jam këtu sot për tu thënë shkodranëve nëse doni të na jepni mundësinë të shlyjmë borxhet ndaj Shkodrës. Tonat dhe të atyre na jepni mbështetjen. Siç e kemi bërë këtu mund ta bëjmë në shumë pjesë të tjera Shkodrën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat