Pamjet me dron nga Shkodra/ 2405 hektarë tokë dhe 590 banesa nën ujë

Shkodra

Pamjet me dron nga Shkodra/ 2405 hektarë tokë dhe 590 banesa nën ujë

Më: 21 nëntor 2022 Në ora: 12:07 Përditësuar në ora: 13:29 më 21.11.2022
Shkodra

​Reshjet në Shqipëri, situatë më e rëndë në Lezhë dhe Shkodër

Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në Agjencinë e Mbrojtjes Civile të Shqipërisë, situata si pasojë e reshjeve intensive në vend paraqitet problematike veçanërisht në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës.

Mbi 240 efektivë të Forcave të Armatosura, me 25 motomjete dhe pajisje të posaçme për përmbytjet janë përqendruar në këto dy qarqe, në ndihmë edhe të forcave të tjera operacionale.

Për shkak të pranisë së ujit në banesa, është bërë evakuimi i 50 familjeve në bashkinë Shkodër dhe 3 familjeve në fshatin Gruemirë, bashkia Malësi e Madhe. Të evakuuarit janë strehuar në konviktet e shkollave dhe pranë të afërmve të tyre.

Një familje është evakuuar nga fshati Mabe, në Lezhë, të cilët janë strehuar tek të afërmit e tyre.

Pas kërkimeve intensive është bërë e mundur gjetja e trupave të babë e bir, në fshatin Dedaj, të cilët i mori rrjedha e ujit të përroit në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, fshati Bogë, njësia administrative Shkrel, bashkia Malësi e Madhe.

Ministria e Mbrojtjes thotë se punonjësit janë gjatë gjithë kohës në terren për të pastruar akset e bllokuara. Është bërë i mundur kalimi i banorëve të zonave ku ka probleme edhe me rrugë të tjera alternative.

Në aksin rrugor Shkodër- Lezhë, në vendin e quajtur “Harku i Bërdicës”, kalimi bëhet në drejtim të Gurit të Zi. Po ashtu është normalizuar situata në aksin e vjetër Milot-Burrel, ku pati rënie gurësh.

Sipas autoriteteve, furnizimi me energji është i garantuar në pjesën më të madhe të zonave, ku ka patur dëmtime nga reshjet, pas një pune të pandërprerë nga punonjësit e OSHEE në terren.

Situata po ndiqet me vëmendje edhe në bashkitë e tjera si në atë të Dibrës, Kukësit, Tropojës, Durrësit, Tiranës, etj. Efektivët e Forcave të Armatosura, nën koordinim e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, të gjitha kapacitetet e shërbimit zjarrfikës, Policia e Shtetit, strukturat e emergjencave civile, shërbimi mjekësor janë të gjithë të angazhuar në terren në çdo rast nevoje.

Situatë katastrofike në Shkodër! Tokat dhe shtëpitë nën ujë, qytetarët lëvizin me varka

Një situatë e rënduara paraqitet në Shkodër që prej ditës së djeshme, ku reshjet e shumta të shiut dhe shkarkimet e hidrocentraleve kanë përmbytur 2405 hektarë tokë dhe 590 banesa.

Teksa shumë zona janë nën ujë, qytetarët kanë lëvizur me varka për të shpëtuar jetën duke u evakuuar në një vend të sigurt. Në Shkodër u konfirmuan edhe dy viktimat e para nga moti i keq, ku babë e bir i mori dje rryma e ujit dhe u gjendën të pajetë sot.

Shumë qytetarë të tjerë janë të vështirësi, kryesisht të moshuarit, sikurse shihet edhe në pamjet e mësipërme.

Janë 32 familje të evakuara, gjithsej 139 persona, kryesisht nga Njësitë Administrative, Gur i Zi, Bërdicë, Lagja Nr.4,  Lagja nr. 1.

Shtëpi me prezencë uji në oborre dhe ne brendësi të banesave gjithsej 590 banesa; Guri I Zi 250 banesa; Bërdicë 210 banesa prej tyre 40 biznese; Lagja Nr.4, 30 banesa; Lagja nr. 1, 100 banesa.

Shkodra nën ujë, Berisha në zonat e përmbytura: Ka kërcënime serioze

Kryetari i PD Sali Berisha ka vizituar  mesditën e sotme zonat e përmbytura në fshatin Kuç në Shkodër.

Berisha: I kam ndjekur me shumë shqetësim zhvillimet dramatike. Erdha këtu të shpreh solidaritetin dhe të shtoj se kjo është dëshmi e një papërgjegjshmërie të plotë të këtyre qeveritarëve të cilët mbrëmë kanë hapur tunelet e Komanit, kanë derdhur nga porta e Vaut të Dejës 2000 metër kub në sekondë dhe të gjitha këto sepse nuk dilnin dot nga skema e vjedhjeve.

Këto reshje kanë qenë tërësisht dhe plotësisht të parashikuara qoftë nga Instituti shqiptar i gjeoshkencës, por një njoftim ka bërë edhe stacioni meteorologjik italian, i cili ka parashikuar reshje ekstreme dhe përmbytje në alpet e veriut. Këto nuk kanë mjaftuar për Ramën dhe Ballukun sepse ata e kanë mendjen për të vjedhur. Janë mbi 2500 hektarë të përmbytur dhe ka kërcënime serioze.

Berisha deklaroi se qeveri ka qëndrim armiqësor ndaj Shkodër. Rreth 30 familje janë evakuuar nga Shkodra gjatë 24 orëve të fundit ndërsa 482 banesa kanë prezencë uji.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat