Rreshje të dendura në Shkodër, dalja e lumenjve përmbyt fshatin Obot

Shkodra

Rreshje të dendura në Shkodër, dalja e lumenjve përmbyt fshatin Obot

Më: 17 shkurt 2026 Në ora: 09:59
Foto ilustrim

Prefektura e Qarkut Shkodër njofton se situata hidrometeorologjike në territorin e qytetit dhe njësitë përreth ka mbetur e vështirë, pas reshjeve intensive dhe prurjeve të shtuara në kaskadën e lumit Drin gjatë 24 orëve të fundit.

Korporata Elektroenergjike Shqiptare (KESH) ka nisur shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, pas monitorimit të vazhdueshëm dhe vlerësimit për menaxhimin e prurjeve.

Në zonën e Obotit, uji ka përfshirë kryesisht tokat bujqësore, duke zgjeruar sipërfaqen e përmbytur, por pa rrezikuar banesat deri më tani. Rruga lidhëse e fshatit me rrugën kryesore është e kalueshme me vështirësi, pasi uji arrin 40–50 cm, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve të vogla.

Në terren ndodhen dy mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 10 efektivë të Forcave të Armatosura, në gatishmëri për çdo emergjencë.

Situata e reshjeve dhe borës mbetet e rënduar në akset malore:

Bogë – Theth: Reshje intensive bore, Qafa e Thorës e bllokuar për shkak të orteqeve; po punohet me mjete borëpastruese.

Hani i Hotit -Vermosh: Reshje të dendura mbi kuotën 1000 m; qarkullimi lejohet vetëm me goma dimërore dhe me asistencë të mjeteve borëpastruese.

Nga bashkitë Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz nuk raportohen problematika të mëdha. Strukturat e mbrojtjes civile dhe institucionet vendore vijojnë monitorimin e situatës dhe mbeten në gatishmëri, duke garantuar koordinim të plotë për sigurinë e qytetarëve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat