Sot zgjedhjet për kreun e PD në Shkodër, dy emrat në garë

Shkodra

Sot zgjedhjet për kreun e PD në Shkodër, dy emrat në garë

Më: 15 mars 2026 Në ora: 09:44
Ardit Çylybyli dhe Gentian Ibro

Ditën e sotme mbahen zgjedhjet për kryetarin e degës së Partisë Demokratike në Shkodër.

Në këtë proces zgjedhor kanë të drejtë vote rreth 7100 anëtarë të kësaj force politike.

Procesi i votimit po zhvillohet në hollin e teatrit "Migjeni", ku anëtarët e Partisë Demokratike mund të votojnë nga ora 08:00 deri në orën 18:00.

Në garë për drejtimin e degës së PD Shkodër janë Ardit Çylybyli dhe Gentian Ibro.

Pas përfundimit të procesit të votimit pritet të nisë menjëherë edhe numërimi i votave, ndërsa më pas do të shpallet fituesi që do të drejtojë degën e Partisë Demokratike në Shkodër.

Ndërkohë me 10 Mars, mbledhja e zhvilluar në selinë e Partisë Demokratike në Shkodër për konfirmimin e kandidatëve për kryetar të degës u shoqërua me tensione dhe përplasje mes anëtarëve.

Konfirmimi i vetëm dy kandidatëve nga selia qendrore, ndonëse lista e propozuar nga baza kishte qenë më e gjatë, ka shkaktuar debate të forta gjatë diskutimeve. Disa prej anëtarëve kanë kundërshtuar vendimin, duke ngritur pikëpyetje për kriteret e përzgjedhjes.

Konflikti fizik në prani të drejtuesit politik të Shkodrës, Luçiano Boçi, ka qenë mes anëtarit të kryesisë, Ervin Gjini dhe anëtarit të PD, Arban Lutfija.

Debatet verbale më pas kanë degjeneruar në përplasje fizike e fyerje mes disa pjesëmarrësve në mbledhje. Të pranishmit kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën dhe për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit.

Kryetarja aktuale e degës, Eliona Shkreli vendosi pak ditë më parë të mos kandidonte për një mandat tjetër.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat