Ambasadori italian, Cutillo në Shkodër për prezantimin e projektit

Shkodra

Ambasadori italian, Cutillo në Shkodër për prezantimin e projektit

Më: 9 dhjetor 2016 Në ora: 19:54
Projekti “Sistemi Itali”

Ambasada e Italisë, Agjencia Italiane per Bashkëpunimin për Zhvillim dhe Agjencia ICE do të prezantojnë në Shkodër (12 Dhjetor) projektin “Sistemi Itali”, në prani të përfaqësuesve të insitucioneve, politike, ekonomike, kulturore qendrore dhe vendore.

Përmes një njoftimi për shtyp, ambasada italiane në Tiranë njofton se në Bashkinë e Shkodrës, në prani të Kryetares së Bashkisë Voltana Ademi dhe Ambasadorit të Italisë, Alberto Cutillo, do të paraqitet Projekti i Rikualifikimit të ish-Konsullatës italiane, i cili synon ta shndërrojë ndërtesën në një pikë referimi për zhvillimin e aktiviteteve që kanë qëllim të thellojnë bashkëpunimin dypalësh mes Italisë dhe Shqipërisë. Pas prezantimit do të ketë një bashkëbisedim me të pranishmit.

Në vijim, në Qendrën Rinore që mirëpret aktivitetin, Kryebashkiakja Ademi dhe Ambasadori Cutillo do të paraqesin projektin “YES Future”, në mbështetje të përfshrijes sociale të të rinjve të Shkodrës dhe të pjesëmarrjes aktive të tyre në zhvillimin e qytetit. Projekti realizohet nga Bashkia e Shkodrës në bashkëpunim me OJQ-në italiane “IPSIA”, OJQ-në shqiptare “Consulting and Development Partners” dhe me Bashkinë e Triestes si dhe financohet nga programi italo-shqiptar i konvertimit të borxhit (IADSA).

Gjatë vizitës, Përgjegjëset e Agjencisë ICE dhe Zyrës Tregtare të Ambasadës do të takojnë sipërmarrje të ndryshme të Shkodrës. Qëllimi është të analizohen çështjet e ndërkombëtarizimit, instrumentet dhe strategjitë në mbështetje të bashkëpunimit tregtar dhe industrial mes Italisë dhe Shqipërisë, për të hartuar dhe zbatuar projekte që t’i përgjigjen nevojave të zhvillimit dhe inovacionit, duke i dhënë përparësi sektorëve më të rëndësishëm për ekonominë e veriut të Shqipërisë. Në takim do të marrin pjesë edhe përfaqësuas të bizneseve italiane në Qarkun e Shkodrës, përfaqësues të shoqatave të interesuata, të Fakultetit të Ekonomisë të Universitet të Shkodrës, të agjencive të zhvillimit dhe organizatave ndërkombëtare.

Pasdite, Ambasadori Cutillo do të takojë përfaqësues të shkollave katolike në Qarkun e Shkodrës e më pas, së bashku me Ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi do të vizitojnë laboratorët mekatronikë të Institutit teknik “Arben Broci”, realizuar në kuadër të projektit MECAVET nga Ministria e Mirëqenies në bashkëpunim me Rajonin Emilia Romagna dhe financuar nga programi italo-shqiptar i konvertimit të borxhit (IADSA).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat