Beqaj: 500 milionë lekë për Reanimacion modern në Shkodër

Shkodra

Beqaj: 500 milionë lekë për Reanimacion modern në Shkodër

Më: 13 dhjetor 2016 Në ora: 11:05
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj

Në fillim të vitit të ardhshëm, Spitali Rajonal i Shkodrës do të ketë gati një sallë tërësisht moderne të shërbimit të Reanimacionit.

Investimi prej 500 milionë lekësh është investimi nisur tashmë, duke përfshirë rikonstruksionin e mjediseve të këtij shërbimi, si dhe furnizimin me pajisjet mjekësore.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ndoqi nga afër ecurinë e punimeve teksa u shpreh se në muajin mars, ky shërbim do të jetë tërësisht funksional dhe në dispozicion të pacientëve të Shkodrës.

Beqaj theksoi se falë këtij investimi, spitali rajonal i Shkodrës do mund ti përgjigjet më mirë fluksit të pacientëve që do t’i vijë nga Kirurgjia e Përgjithshme, Ortopedia, por edhe rastet e ndryshme të traumave.

“Është një ndërhyrje e rëndësishme në Reanimacionin Qendror të spitalit rajonal të Shkodrës”, u shpreh ai, duke vënë në dukje se, punimet ndërtimore janë me vlerë rreth 150 milionë lekë, dhe po në spital është bërë dhe furnizimi i pajisjeve që do të vihen në punë me të mbaruar punimet e ndërtimit që janë rreth 350 milionë lekë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, spitali rajonal i Shkodrës është duke u shndërruar në një model të ri të shërbimit mjekësor, modern e bashkëkohor, tërësisht i shndërruar, falë investimeve të shumta të bëra në dy vitet e fundit.

“5 milionë dollarë janë investimet e realizuara deri tani, si dhe ato që kanë nisur tashmë së zbatuari, kryesisht nga buxheti i shtetit, me financime të huaja dhe nga partneriteti publik-privat, të cilat e plotësojnë funksionimin e spitalit rajonal të Shkodrës dhe e bëjnë një nga qendrat më të rëndësishme të veriut të Shqipërisë, por edhe në të gjithë vendin”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat