Vlerësohet puna e gazetarëve të Shkodrës - Bota Sot
Vlerësohet puna e gazetarëve të Shkodrës

Shkodra

Vlerësohet puna e gazetarëve të Shkodrës

Nga: RAMAZAN ÇEKA Më: 12 mars 2017 Në ora: 23:24
Foto nga aktiviteti

Para pak ditësh në ambientet e bibliotekës "Marin Barleti" në Shkodër, u promovua një aktivitet krejtësisht i veçantë në llojin dhe tematikën e tij, që e bënë atë të nderohet e vlerësohet jo vetëm nga pjesëmarrësit, por edhe nga opinioni i gjërë intelektual e qytetar shkodran e më gjërë.

Ky aktivitet u organizua nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, por me iniciativën dhe përkujdesjen e degës së këtij Unioni në Qarkun e Shkodrës, ku natyrisht meritat kryesore i ka kryetari i këtij Unioni z.Gaspër Marku, si ideator dhe realizues i edicionit të parë të ketij konkurimi.

Qëllimi i këtij aktiviteti nuk ishte analiza dhe diskutimet që gazetarët mund të bëjnë për punën e tyre, por ishte nderimi për punën që ata kanë bërë në pasqyrimin me vërtetësi dhe profesionalizëm të jetës shoqërore, ekonomike, shkencore, kulturore, artistike e sportive, jo vetëm në Shkodër, por edhe më gjërë.

Natyrisht, që ky nderim të ishte evident në këtë aktivitet, organizatorët kishin menduar të akordonin një çmim shumë të lavdërueshëm për penat më të mira. Çmimi "Hamit Boriçi" do t'i jepej kështu autorëve më të mirë të gazetarisë për gjini të ndryshme të mediave të shkruara dhe audiovizive.

Në këtë ambient kaq të ngrohtë dhe shoqëror ishte i pranishëm edhe vetë mjeshtri dhe një ndër themeluesit e gazetarisë shqiptare Prof. Dr.Hamit Boriçi, i cili i mallëngjyer dhe i emocionuar u shpreh: "Në qoftëse unë kam bërë diçka të mirë që në fillim, e kam bërë për tre personalitete: Shaqir Boriçi, Adem Boriçi dhe Muhamet Bala, i cili ka qenë edhe drejtori i parë i kësaj biblioteke. Prania ime sot dhe vlerësimi i madh që po më bëni iu përket edhe atyre".

Aktivitetin e hapi kryetari i Unionit të Gazetarëve Dega Shkodër z.Gaspër Marku që në fjalën e tij vuri në dukje punën e mirë dhe profesionale të të gjithë gazetarëve, por theksoi në mënyrë të veçantë angazhimin e penave të reja që kanë hyrë me shumë meritë në fushën e krijimtarisë të botës së shtypit, radios e televizionit.

Më pas, të pranishmit i përshëndeti edhe kryetarit i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë z.Aleksandër Çipa dhe sekretarja e këtij Unioni znj.Anila Basha. "Nisma e Unionit të Gazetarëve të Qarkut të Shkodrës përbën një hap që shënon atë që ne e konsiderojmë të munguar në shoqërinë e trazuar të sotme shqiptare, referencat, ato që ne i shpërfillim herë me dashje dhe herë pa dashje", tha ndër të tjera kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa. Ndërsa, sekretarja e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë znj.Anila Basha, në fjalën e saj shprehu konsideratat më të mira për të gjithë punën e bërë nga gazetarët shkodranë, por vlerësimin më të madh ia dedikoi organizatorit dhe ideatorit të këtij aktiviteti z.Gaspër Marku, i cili me punën e bërë ka dhënë një kontribut të shquar që ky Union të meritojë mirënjohje e respekt nga masat e gjëra të popullit në Shkodër, Malësinë e Madhe, Pukë, Mirditë e më gjërë.

Siç thamë edhe më lart organizatorët kishin përzgjedhur, bazuar në veprimtarinë e secilit gazetar në fusha të ndryshme më të dalluarit, më aktivët, për t'i nderuar me çmimin "Hamit Boriçi".

Përpara se të kalohej në ndarjen e çmimeve përkatëse, me emocion u priten nga pjesëmarrësit edhe shpërndarja e çertifikave të mirënjohjes për gazetarët e ndarë nga jeta kohët e fundit, si ndaj gazetarit dhe operatorit Nexhat Rakaj, komentatorit dhe kronistit sportiv Ymer Striniqi dhe dy gazetarëve sportivë, Ramadan Bigza dhe Mejdan Zhivani.

Por surprizat nuk kishin të mbaruar me kaq. Mirënjohja do të vinte edhe për personalitete të tjera që kanë kontribuar në këtë fushë ku respekt dhe mirënjohje u akordua edhe për dy personalitete të medias në SHBA, fillimisht për z.Ndue Ftoni; si një bashkëatdhetar i shquar, që me kontributin e tij prej vitesh, duke mos i shkëputur kurrë lidhjet me vendlindjen, ka krijuar në SHBA një "Mecenat" ku mblidhen dhe përçojnë kulturën shqiptare artistët më të shquar të të gjithë kombit tonë. Një tjetër vlerësim ishte edhe për publicistin e shquar shqiptaro-amerikan z.Rush Dragu që iu akordua gjithashtu çmimi i mirënjohjes, që jo vetëm nuk i ka shkëputur asnjëherë lidhjet me Shqipërinë, por nëpërmjet televizionit ACTV në Michigan dhe portalit www.AlbDreams.Net, është bërë një tribunë që përçon në të gjithë Diasporën Shqiptare vlerat kulturore, artistike dhe historike të të gjithë kombit shqiptar.

Këtë takim në shtëpinë e librit, bibliotekën "Marin Barleti" e kishin vlerësuar edhe personalitete të shquara si: shkrimtarë, artistë, deputetë dhe drejtues të pushtetit vendor.

Përpos çmimeve të konkursit, drejtuesit e unionit të gazetarëve shqiptarë kanë shpërndarë çertifikata mirënjohje edhe për dy gazetarët e karrieres, Zana Dibra dhe Lekë Plani, si dhe autorit të këtij shkrimi, gazetarin e kulturës Ramazan Çeka për pasqyrimin me vertetësi dhe profesionalizëm të aktiviteteve kulturore dhe artistike në Shkodër, në Shqipëri dhe në të gjitha trevat shqiptare.

Ndërkohë, në kuadrin e konkursit, Çmimi "Hamit Boriçi"-Edicioni i parë 2017, fitues në zhanre të ndryshme janë shpallur: Adrian Hoti, si "Prezantuesi më i mirë, i edicioneve informative, në televizionet e Shkodrës", Anila Dushi për "Reportazhin më të mirë në median e shkruar", Emi Kalaja për "Dokumentarin më të mirë televiziv në mediat vizive të Shkodrës", Ardi Hoti për "Gazetarinë investigative televizive", Ergys Kavaja  për "Kroniken më të mirë televizive në fushën sociale", Elvis Nabolli  për "Raportimin më të spikatur në lidhje të drejtpërdrejtë nga terreni", Bepin Kolvata "Për kronikën më të mirë në fushën e kulturës", Simon Shkreli për "Mbulimin më të mirë mediatik në hapësirën e trojeve shqiptare", Sokol Pepushaj  për "Gazetarinë investigative të medias së shkruar", Bes Jacaj me çmimin inkurajues për gazetarët e rinj me perspektivë të mediave të Shkodrës.

Vetë gazetarët në fjalët falenderuese shprehën mirënjohjen për vlerësimin që u ishte bërë, duke e quajtur këtë çmim edhe si një obligim për të qenë sa më pranë problemeve dhe halleve të përditëshme, por edhe të ngjarjeve të mëdha që kanë interes për opinionin e gjërë shqiptar.

"Një çmim në gazetari ka shumë vlera qytetare dhe intelektuale për Shkodrën. Ky aktivitet dhe çmimi "Hamit Boriçi" janë një shtysë për zhvillimin e mediave si dhe zhvillimin ekonomiko-kulturor në Shkodër". Ky ishte opinioni i të pranishmëve në këtë takim.

Kënaqësi të veçantë ndjenë të pranishmit pas ceremonisë zyrtare kur u bashkuan në një kokteil të pasur në ambientet e "Grand Hotel Europa".

Bashkëbisedimet, humori dhe batutat shkodrane, muzika dhe fotografitë e bënë më të gëzueshëm këtë aktivitet, duke e bërë të paharruar për pjesëmarrësit.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat