Shpërthimi në Velipojë, nga sot kontroll i rreptë nëpër hotele

Shkodra

Shpërthimi në Velipojë, nga sot kontroll i rreptë nëpër hotele

Më: 31 korrik 2017 Në ora: 08:47
Agron Dibra drejtor i zjarrfikëseve

Opinioni i qytetit të Shkodrës vijon të jetë i tronditur nga ngjarja e rëndë e regjistruar në plazhin e Velipojës, ku mbeten të plagosur 4 persona, njëri prej të cilëve humbi jetën, ndërsa dhe në tjetër ndodhet në gjendje të rëndë. Agron Dibra drejtor i zjarrfikëseve, thotë se subjekti në fjalë ka qenë vazhdimisht objekt i penalizimeve për parregullsi , por sa i takon cisternës 1000 litërshe ajo ka qene e kamufluar ndaj dhe forcat e zjarrfikëseve nuk kane patur dijeni për ekzistencën e saj.”Ky subjekt , bar –restorant ka qenë i penalizuar nga ne vjet dhe parvjet për shkelje të rregullave të sigurisë nga zjarri,por jo për cisternën pasi ajo ka qene e fshehur, jashtë objektit dhe për të nuk kemi pasur dijeni.

Objekti ka qenë i përfshirë dhe në planin e kontrollit për këtë vit por e theksoj pa e ditur se kishte një depozitë 1000 litërshe të fshehur. Vitet e kaluara ky biznes ka pasur penalizime nga ana e jonë për shkelje të tjera”- thotë Dibra. Nga dita e hënë, zjarrfikëset e Shkodrës do jenë në terren në Velipojë, për të inspektuar çdo subjekt privat dhe konstatuar nëse i plotësojnë apo jo kushtet teknike të sigurisë. Nga e hëna do te kontrollohet imtësisht çdo subjekt ne plazhin e Velipojës si nga ana e jonë ashtu dhe nga inspektorët e ISHTI-së’, thekson Dibra. Pronarët e thuajse të gjitha subjekteve private por dhe qytetarët në banesat e tyre, neglizhojnë kushtet e sigurisë dhe mbrojtjen nga zjarri, ndërsa ndodhin raste të rënda siç ishte ai i të enjtes.

Prokuroria e Shkodrës ka regjistruar një procedim penal pas zjarrit që përfshiu “Cavalerion” në kompleksin “Fishta” në Velipojë. Shkak për zjarrin e përmasave të mëdha u bë rrjedhja e gazit nga depozita e vendosur nëntokë. Flakët u përhapën menjëherë në të gjithë restorantin duke lënduar rëndë katër persona, njëri prej të cilëve humbi jetën. Sipas organit të akuzës, deri tani ka dy pista ku po përqendrohen hetimet për “shkatërrim prone nga pamundësia” dhe “shkelja e rregullave të sigurisë teknike”. Burime nga prokuroria bënë të ditur se “jemi në pritje të ekspertizës nga shërbimi zjarrfikës”. Sipas prokurorisë, në hetime do përfshihet dhe veprimtaria e inspektorëve të ISHTI. Do verifikojmë nëse është kontrolluar apo jo bombola nga inspektorët e ISHTI. Depozita s’duhet të ishte vendosur aty. Shpërthimi i djeshëm në ambientet e brendshme të restorantit shkaktoi lëndimin e katër personave, mes të cilëve edhe pronarin Besnik Zenuni, i cili gjeti vdekjen. I biri ndodhet në gjendje të rëndë në QSUT në repartin e djegie plastikës. Prokuroria thekson gjithashtu se as në Polici dhe as në Prokurori nuk ka kallëzim nga ISHTI që subjekti “Fishta” ka shkelur rregullat teknike me cisternën e gazit 1 mijë litroshe. Kjo pasi biznesi ishte privat, në pronësi prej 6 vitesh të shtetasit Besnik Zenuni, i cili gjeti vdekjen si pasojë e kësaj ngjarjeje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat