Sterilizimi nis edhe në Shkodër, Manastirliu: Më shumë siguri për pacientët, ulen infeksionet spitalore

Shkodra

Sterilizimi nis edhe në Shkodër, Manastirliu: Më shumë siguri për pacientët, ulen infeksionet spitalore

Më: 9 dhjetor 2017 Në ora: 22:33
Shkodër

Në çdo sallë kirurgjie në spitalin Rajonal të Shkodrës ka nisur përdorimi i instrumenteve të rinj kirurgjikalë, përmes programit modern të sterilizimit, i cili sapo ka nisur funksionimin në këtë spital, duke rritur sigurinë për pacientët.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale pa nga afër këtë investim, i cili, sipas Manastirliu do të rrisë sigurinë për pacientët dhe do të reduktojë infeksionet spitalore.

“Pas shtrirjes së programit të sterilizimit në të gjithë shërbimet kirurgjikale në 5 spitalet universitare të Tiranës, ky program modern ka nisur t? funksionojë edhe në spitalin Rajonal të Shkodrës, ku është ngritur centrali i sterilizimit të instrumenteve kirurgjikalë. Ky shërbim do të mbulojë edhe spitalin e Lezhës dhe Pukës për rreth 5,000 ndërhyrje në vit, duke zëvendësuar autoklavat e vjetra, të amortizuara, të cilat deri më sot nuk kanë mundësuar të sigurojnë standardet europiane të sterilizimit”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Vlera e këtij investimi për spitalin Rajonal të Shkodrës është 1.2 milion Euro.
“Brenda muajit Dhjetor ky shërbim do të ofrohet edhe në spitalin e Elbasanit dhe në 6 muajt e parë të vitit 2018 do të shtrihet në të gjithë spitalet e vendit, duke rritur sigurinë për pacientët dhe duke përmirësuar kushtet e punës së mjekëve”, u shpreh Ministrja Manastirliu.

Prof. Gezim Galiqi, shefi i shërbimit të kirurgjisë në spitalin e Shkodrës u shpreh se ky program sterilizimi është maksimumi që mund të kemi përsa i takon sigurisë së pacientëve.

Programi i sterilizimit parashikon furnizimin e të gjithë spitaleve të vendit me instrumenta të rinj kirurgjikalë modernë; sterilizimin cilësor të instrumenteve kirurgjikalë; ofrimin e materialeve të buta ndihmëse njëpërdorimëshe për ekipin mjekësor dhe shtratin e operacionit; dezinfektimin e sallës së operacionit në fund të ditës; përpunimin e mbeturinave të rrezikshme dhe shndërrimin e tyre në mbetje urbane; ofrimin e set-it të personalizuar sipas çdo lloj ndërhyrje kirurgjikale.

“Me këtë investim, por edhe me investimet e 4 viteve të fundit me vlerë 400 milion lekë në infrastrukturë, pajisje bio-mjekësore dhe ngritjen e shërbimeve të reja, spitali Rajonal i Shkodrës po kthehet në një qendër ekselence për veriun e Shqipërisë”, tha Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat