Detajet e ‘trillerit të Shkodrës’: Bashkëshorti urdhëroi vrasjen e gruas, Suela përgjoi bisedat

Shkodra

Detajet e ‘trillerit të Shkodrës’: Bashkëshorti urdhëroi vrasjen e gruas, Suela përgjoi bisedat

Më: 24 janar 2018 Në ora: 13:58
Fatjon Karmeshta

Krimet e Rënda kanë zhvilluar sot seancën ndaj shtetasit Fatjon Karmeshta, i cili dyshohet të jetë përfshirë në një vrasje në prill të 2016.

Gjykata e la në burg të akuzuarin për vrasjen, kurse Karmeshta nuk ka pranuar të flasë para trupës gjykuese, duke thënë se nuk është në gjendje dhe se do të flasë në një moment të dytë.

Karmeshta akuzohet se është përfshirë në vrasjen e shtetases Suela Sula, më 23 prill 2016, në mobilerinë e familjes së saj, në Bushat të Shkodrës.

Ai dyshohet se është urdhëruar për krimin e rëndë nga burri i viktimës, Sadetin Sula, 47 vjeç, i cili ka qenë xheloz për gruan dhe ka pasur frikë se mos ajo ndahet prej tij dhe i merr gjysmën e pasurisë, duke zgjedhur t’i marrë asaj jetën.

Sipas prokurorisë, Karmeshta e ka mbytur me duar Suela Sulën. Bashkëshorti i saj e çoi viktimën në mobileri, kur u kthye e gjeti të vdekur. Por në thonjtë e saj kishte mbetje lëkure, pasi dyshohet se ajo u përlesh me agresorin. Analizat e ADN-së kanë provuar se autor i krimit ishte Karmeshta.

Suela i kishte kërkuar burrit të largonte Fatjonin nga puna. Ajo kishte përgjuar bisedat e bashkëshortit me Fatjonin. Në celularin e viktimës janë gjetur pesë regjistrime ku burri i saj fliste me Fatjonin, duke i shprehur dyshimet se Suela e tradhtonte. Ai ankohej se e shoqja mund t’i merrte pasurinë.

Para dy muajsh u raportua se shteti u ka afruar statusin e dëshmitareve të mbrojtura dy grave në Shkodër, që janë motrat e Suela Sulës.

Por dy motrat e viktimës, Flutura Shpori dhe Tatjana Hyseni dëshmuan kundër 47-vjeçarit në një proces me dyer të mbyllura në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Të dyja gratë u sollën me forca policie, pasi siç vlerësojnë autoritetet atyre u rrezikohet jeta, përderisa pak kohë më parë ndaj Flutura Shporit është organizuar një atentat për ta vrarë.

Flutura Shpori i tha gjykatës se ish-kunati e dhunonte prej kohësh Suelën, por ajo heshti me shpresën se bashkëshorti do të ndryshonte.

“Ai ishte xheloz. Nuk e linte kurrë vetëm, madje më e tmerrshmja, e akuzonte se 3 fëmijët nuk ishin të tijtë. Një natë dimri e përzuri nga shtëpia dhe unë e gjeta time motër në strehën e portës. Më tregoi se grindja e radhës ishte hapur për njërin nga punëtorët e mobilerisë”, dëshmoi Flutura.

Dëshmitaret treguan se Sula kishte tentuar ta vrise edhe herë tjetër Suelën, në një rast sipas tyre ajo ka shfaqur shenja helmimi. Rrëfimi i dëshmitarëve është shoqëruar me buzëqeshje nga i pandehuri.

Prokurori e pyeti Flutura Shporin nëse ka frikë.

“Po kam frikë nga Sadetin Sula. Ai është i rrezikshëm. Pas ngjarjes, nuk doja që tre fëmijët e tyre të përfundonin në duart e shtetit, ndaj edhe hapa gjyqin për kujdestarinë. Gjykata e Shkallës së Parë më dha të drejtë, por ditën kur do të shkoja në Apel më qëlluan me armë. Kam frikë të shkoj në Apel. Nuk dua ta di çfarë vendimi do të japë gjykata. Unë do t’i rris fëmijët e motrës edhe pa vendim gjykate”, deklaroi ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat