Jetë e vështirë mes ujërave në Shkodër, ja ç'po ndodh sot në Dajç dhe Anën e Malit

Shkodra

Jetë e vështirë mes ujërave në Shkodër, ja ç'po ndodh sot në Dajç dhe Anën e Malit

Më: 11 mars 2018 Në ora: 11:45
Shkodër

Pas inspektimeve në terren të bëra sot deri në orën 9:00 nga bashkia Shkodër në njësitë administrative të përmbytura fatkeqësisht, situata e përmbytjeve vazhdon të jetë jo e mirë dhe sipërfaqja totale është mbi 1415 Ha.

Deri në këto momente, janë mbi 390 ha tokë e përmbytur në njësinë administrative Dajç: në fshatin Mushan, 160 ha, në Shirq 140 ha, në Suka-Dajç  30 ha, në Dajç 60 ha. Nga përmbytjet janë dëmtuar kultura të dyta foragjere, jonxhe, bimë dekorative dhe të tjera si më poshtë: Kërkohet të ndërhyhet për lartësimin e argjinaturës së Pentarit afërsisht në 300 m gjatësi.

Ndërsa në Njësinë Administrative Ana e Malit, situata vijon si më poshtë :

Në Obot kalimi bëhet i mundur me makina të larta.
Mbi 900 ha tokë janë të përmbytura: në Muriqan 350 ha, në Oblikë 350 ha, në Obot 200 ha. Nga sipërfaqja e mësipërme,sipërfaqja e mbjellë me kultura bujqësore vlerësohet në 630 ha.

Gjithashtu në njësinë Ana e Malit, Ujësjellsi Oblika1 si pasojë e përmbytjeve është jashtë funksionit. Bashkia Shkodër me anë të dy mjeteve autobotë ka bërë dhe po bën furnizimin e banorëve me ujë të pijshëm.

Në njësinë administrative Bërdicë, sipërfaqja e përmbytur është mbi 60 ha tokë.

Në njësinë administrative Velipojë, në fshatin Luarz nga argjinatura futet ujë dhe vlerësohet se rreziku mund të jetë shumë i madh. 
Gjithashtu në njësinë administrative Gur i Zi konstatohet fenomeni i erozionit në tokat bujqësore.Vazhdon gërryerja e tokës në fshatin Juban, në afërsi të Malit të Vukatanës.

Në njësinë administrative Rrethina, në fshatin Zues janë të përmbytura 65 Ha tokë nga të cilat 5 Ha ndodhen poshtë fshatit Zues dhe 60 Ha tokë e këtij fshati në fushën e Oblikës.

Specialistët janë në terren dhe po bëjnë vlerësimet e dëmeve të shkaktuara. Paraqiten nevoja ditore nga fermerët për bazë ushqimore: Nevojat për bazë ushqimore ditore për blegtorinë për zonat e përmbytura janë:

Koncentrat 3845 kg/ ditë, bar i thatë 7190 kg/ditë dhe silazh 3135 kg/ditë

Gjithashtu duhet të merren masa për furnizim me klor për dizefektim për zonat e përmbytura pas tërheqjes së ujit. 

Bashkia Shkodër ka bërë një shkresë publike drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes ku ka kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në këto njësi pasi rrezikohet rëndë shëndeti dhe jeta e popullatës, gjësë së gjallë, pasurisë e mjedisit. Situata e krijuar është rezultat i shkarkimeve të pakontrolluara dhe të mëdha në sasi dhe për një kohë të gjatë, si dhe nga keqmenaxhim i kaskadës së lumit Drin. Situata po mbahet në monitorim të vazhdueshëm nga ana e Bashkisë Shkodër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat