Shkodra nën ujë prej tre javësh, varka i vetmi mjet transporti

Shkodra

Shkodra nën ujë prej tre javësh, varka i vetmi mjet transporti

Më: 24 mars 2018 Në ora: 19:33
Shkodra

Prej më shumë se tre javësh fshati Obot i Shkodrës vijon të jetë nën pushtetin e ujit. Në këtë situatë të vështirë përmbytjesh mjeti i vetëm me të cilin mund të hyhet në fshat është varka.

Banorët zgjohen përditë në një realitet thuajse surreal, ku sapo dalin nga shtëpia marrin varkën në oborret e përmbytura të shtëpive, e mandej nisen drejt Rrugës së Re, që lidhet me Shkodrën dhe rrethinat.

Përmes varkave ata furnizohen me ushqime për konsum vetjak dhe bagëtitë. Sigurimi i bazës ushqimore për gjënë e gjallë mbetet problem për banorët. Ndërkohë, ata janë të dorëzuar përballë të mbjellave që janë shkatërruar tërësisht nga uji.

Si të mos mjaftojë uji, situatës kritike i shtohet edhe problemi me furnizimin me energji elektrike, për shkak të dëmtimit të rrjetit dhe transformatorëve.

Mbi 5 mijë hektarë tokë u përmbyt në Shkodër e rrethina gjatë këtyre javëve, ndërkohë që mbi 75 familje u detyruan të braktisin banesat e të strehohen të familjarët.

Përballë një situate të tillë kryeministri Edi Rama vijon të mos i përgjigjes thirrjes për shpalljen e gjendjes së emergjencës. Në këto kushte banorët duhet të vështrojnë nga qielli me shpresën se do të dalë dielli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat