Voltana Ademi ia thotë në sy ambasadorit britanik: Tahiri, i përfshirë në trafikun e drogës

Shkodra

Voltana Ademi ia thotë në sy ambasadorit britanik: Tahiri, i përfshirë në trafikun e drogës

Më: 6 prill 2018 Në ora: 13:49
Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi

Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, në një takim të zhvilluar në këtë qytet për mundësitë e parandalimit të aktiviteteve kriminale tek të rinjtë, ku i pranishëm ishte dhe ambasadori britanik në Shqipëri, Duncan Norman, ka folur për krimin e veshur me pushtet deri në qeveri.

Pas fjalës së ambasadorit, i cili ngriti shqetësimin për përfshirjen e të rinjve shqiptarë në krimin e organizuar në Britaninë e Madhe, Ademi ka thënë se krimi në Shqipëri është në nivele shqetësuese, duke i kujtuar dhe rastin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili po hetohet për trafik ndërkombëtar droge.

“Krimi i organizuar është një problem për vendin tonë dhe në këtë kuadër, edhe për veriun e Shqipërisë. Shqipëria, vazhdon të jetë fatkeqësisht, vend prodhimi dhe eksportimi i kanabis sativas.  Kultivimi i drogës ka qenë një biznes fitimprurës për trafikantët, por ka qenë i tillë, shpresoj të jetë ndryshe edhe për Policinë e Shtetit e deri në nivel e ministrave të Brendshëm. Dua të kujtoj që ka 4 urdhër arreste për drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, të cilët dyshohen si të përfshirë në trafikun e drogës bashkë me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, të cilët vijojnë të jenë të lirë”-, është shprehur Ademi.

Në Shkodër u organizua tryeza e rrumbullakët me temë “Mundësitë e parandalimit të krimit dhe aktivitetit kriminal tek të rinjtë.”

Në një dalje për mediat ambasadori britanik në Shqipëri, Duncan Norman u shpreh se lufta ndaj krimit të oraganizuar është një nga 5 kriteret për antarësimin e vendit në BE.

“Si Britania dhe shtete e tjera do ti shohin këtë rezultate kur të merrin vendimin në qershor. Debatet politike nuk pengojnë antarësimin në BE. Duhet konfiskuar pasuria pasi ajo ju dhemb më shumë. Nuk mund të jap emra se kush duhet të arrestohet pasi përbën sekret hetimor.

Do të përsëris dhe njëherë qëndrimin tim për protestës, me rëndësi është që protesta të jetë paqësore pasi asgje nuk e  justifikon përdorimin e dhunës.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat