Shkodra si “Far West”, rritja e frikshme e vrasjeve në muajt e fundit

Shkodra

Shkodra si “Far West”, rritja e frikshme e vrasjeve në muajt e fundit

Më: 3 shtator 2018 Në ora: 09:10
Arjan Ferracaku

Në 3 muajt e fundit në Shkodër janë vrarë 6 persona nga atentate të tipit mafioz, ndërsa 3 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Ministri i Brendshëm thërret në mbledhje urgjente drejtuesit e policisë dhe u kërkon rezultate konkrete për krimet në Shkodër dhe sulmi me armë në banesën e gazetares Klodiana Lala. Shkodra jashtë kontrollit, vrasja e biznesmenit 30-vjeçar dhe reagimet politike pas serisë së krimeve të rënda ende të pazbuluara në qytetin verior.

Për tre muaj në Shkodër shënohen gjashtë të vrarë, në ekzekutime mafioze dhe tre të zhdukur. Bilanc më të rëndë në këto vitet e fundit nuk kishte patur në këtë qark, që tashmë është kthyer në një Palermo të vogël, ku krimi i organizuar ka sjellë pasiguri. I fundit i ekzekutuar është biznesmeni 30-vjeçar Arjan Ferracaku, teksa u qëllua mesditën e të shtunës në periferi të qytetit. Vrasja e tij solli reagime të shumta politike dhe një “zgjim” edhe nga policia që po mundohet të vërë kontroll, por ngjan ende një mision i pamundur. Në këtë vazhdë, për të ndryshuar imazh, ishte edhe takimi urgjent pasditen e djeshme i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

Objekti kryesor i diskutimeve kanë qenë ngjarjet në Shkodër, të tronditura nga disa vrasje të tipit mafioz në seri dhe sulmi me armë në banesën e prindërve të gazetares Klodiana Lala. Mësohet se ministri i ka kërkuar kreut të Policisë së Shtetit Ardi Veliu që të marrë masa sa më parë për të larguar nga radhët e strukturave të rendit drejtues të paaftë, ose që ka indicie që janë të lidhur me krimin. Shkodra mbetet epiqendra e vrasjeve të mirorganizuara dhe për më tepër ende pa u zbardhur.

Nuk ka më dilema se ky qark po kthehet në një zonë “Far West” ku vrasjet e mirorganizuara në mes të qytetit kanë shkaktuar panik dhe pasiguri të madhe te banorët. Një ndër personat e parë që reagoi për situatën e rendit ishte kryebashkiakja Voltana Ademi që i bëri thirrje kryeministrit që të marrë masat për t’i dhënë fund këtij terrori. “Si nënë, motër, grua, si kryetare e Bashkisë së Shkodrës i drejtohem kryeministrit të Shqipërisë, e Qeverise: Mjaft më! Ju mbani përgjegjësi për këtë që po ndodh! U drejtohem të gjitha forcave politike, deputetëve e medias, përfaqësive ndërkombëtare në Shqipëri: Ju s’mund të qëndroni indiferent! Askush nuk mund të qëndrojë indiferent! Për fëmijët dhe familjet tona, për të ardhmen tonë e të Shkodrës tonë! Shkodra nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë kjo e tre muajve të fundit, nuk duhet ta lëmë të hyjë në një rrugë pa kthim”, deklaroi kryebashkiakja Ademi.

Ekzekutimi i biznesmenit

Mesditën e së shtunës së kaluar 30-vjeçari Arjan Ferracaku dhe pesë persona të tjerë shkuan në periferi të qytetit teksa stërviteshin me kuaj. Ndërsa ishte duke vrapuar mbi kalë, ndaj 30-vjeçarit është zbrazur një breshëri kallashnikovi, duke e lënë të vdekur në vend. Nga të dhënat që disponojnë hetuesit, dyshohet se autorë kanë qenë dy persona të fshehur në disa shkurre dhe pasi kryen vrasjen janë larguar, duke iu shmangur edhe policisë. Sipas burimeve, edhe kushërinjtë kanë qenë bashkë me kuajt e tyre duke bërë hipizëm. Mësohet se në momentin e të shtënave, ata ndodheshin në një distancë të largët nga 30-vjeçari. Pasi kanë dëgjuar krismat dhe kanë parë që Arjanin të rrëzohej nga kali, janë larguar me shpejtësi nga frika se mos autori mund të qëllonte dhe në drejtim të tyre. Biznesmeni është qëlluar fillimisht nga një distancë prej 20 metra dhe më pas autori e ka ndjekur dhe pas rrëzimit nga kali e ka qëlluar dhe në distancë të afërt, duke e lënë të vdekur në vend. Pasi kreu vrasjen atentatori i mori viktimës portofolin dhe telefonin celular. Hetuesit dyshojnë se ky veprim nga vrasësi mund të jetë kryer për të krijuar idenë e një grabitjeje. Në komisariat deri më tani janë shoqëruar dhjetë persona por ende nuk ka urdhër ndalimi për ndonjë të dyshuar. Gjithashtu, janë marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarëve personat që shoqëronin 30-vjeçarin, por e kanë patur të pamundur që të identifikojnë autorët, ndonëse ata nuk ishin të maskuar.

Policia ka hetuar edhe mbi të shkuarën e viktimës dhe nuk rezulton të jetë person problematik, apo i përfshirë në ngjarje kriminale. Gjithashtu njihej si biznesmen i suksesshëm pasi familja zotëronte një fabrikë për përpunimin e plastikës, ndërsa vetë administronte dy biznese në bregdetin e Velipojës. Krahas dyshimit se mund të jetë vrarë gabimisht, ende qëndron edhe pista se 30-vjeçari është kanosur me gjobëvënie disa ditë më parë dhe pasi ka refuzuar të paguajë, mund të jetë ekzekutuar. Megjithatë kjo pistë nuk ka prova të forta, por u paraqit nga hetuesit si opsion për shkak se në këtë qytet janë të njohura disa grupe të fuqishme kriminale që bëjnë terror në zonë, duke kërcënuar dhe shantazhuar biznesmenë të ndryshëm. Aq i përhapur është fenomeni i gjobëvënies sa nuk kanë shpëtuar as tregtarë të vegjël. Familjarët e viktimës shprehen se nuk kanë patur konflikte me askënd dhe nuk i dinë arsyet se pse është vrarë Arjan Ferracaku.

Vera e vrasjeve në Shkodër

Që Shkodra renditet ndër zonat problematike për sa i përket krimit të rëndë, vrasjeve, kjo nuk është një e re për policinë, por muajt e fundit ka nisur një seri vrasjesh të tipit mafioz. Ekzekutimet kanë mbetur pa autorë, ndërsa policia thjesht në këtë rast regjistron disa vrasje më shumë. Seriali i vrasjeve nisi me ekzekutimin e pronarit të një servisi për makinat më 18 qershor. Mehdi Kavaja u qëllua me plumb në kokë, ndërsa autori ende nuk është zbuluar. Vetëm një muaj më pas, ish-efektivi i policisë Boran Bërçana u vra brenda në makinë me bashkëjetuesen e tij, Silvana Ndoci, ngjarje e ndodhur më 15 korrik të këtij viti. Fatmirësisht fëmija dy vjeç i çiftit që gjendej brenda në automjet mundi t’iu shpëtojë plumbave të vrasësit, i cili ishte i vetëm. Pavarësisht se një kamera sigurie kishte filmuar të gjithë ngjarjen duke shfaqur autorin ndërsa qëllon në një distancë të shkurtër policia nuk mundi ta arrestonte apo identifikonte. Vetëm pak kohë pas kësaj ngjarjeje të rëndë, erdhi vrasja e kunatit të të fortit të Shkodrës, Lulzim Kulla, më 10 gusht. Fatbardh Lici u ekzekutua me breshëri plumbash në një lokal ndërsa ndodhej në shoqërinë e disa miqve të tij.

Shumë pista dyshimi u ngritën për vrasjen e Licit, mes të cilave edhe pista e hakmarrjes por deri më tani nuk ka asnjë autor të identifikuar. Përveç vrasjeve, prej 10 ditësh në Shkodër rezultojnë dhe tre persona të zhdukur. Gëzim Hysaj nga Postriba dhe nipi i tij, Agron Mollaj nga Dobraçi, janë denoncuar në polici nga familjarët si të zhdukur prej datës 23 gusht. Ngjarja është denoncuar si kriminale, por deri tani policia nuk di asgjë për fatin e këtyre dy personave. Gjithashtu, të premten e kaluar është denoncuar si i zhdukur edhe një 55-veçar, banues në fshatin Fshati i Ri. Të gjitha vrasjet e bujshme apo zhdukja e personave kanë shtuar dyshimet se në qytetin e Shkodrës veprojnë disa grupe kriminale të përfshirë në trafikun e narkotikëve apo edhe të gjobëvënies. Pikërisht pas këtyre vrasjeve nuk përjashtohet mundësia që të vijojnë të tjera krime të rënda në shenjë hakmarrjeje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat