Shkolla “Cvetan Dimov”, Qyteti i Shkupit nuk tregon shumën që paguan për skelet që nuk përdoren

Shkupi

Shkolla “Cvetan Dimov”, Qyteti i Shkupit nuk tregon shumën që paguan për skelet që nuk përdoren

Më: 12 mars 2019 Në ora: 13:02
Shkolla Cvetan Dimov - Shkup

Qyteti i Shkupit nuk i përgjigjet tani më një muaj pyetjes së Portalb.mk lidhur me pagesën e skeleve që janë vendosur për rikonstruimin e fasadës e cila ende nuk ka filluar të realizohet në shkollën e mesme “Cvetan Dimov” në komunën e Çairit. Gjashtë muaj jepen para për skelet, pa filluar fare punimet.

Portalb.mk më 12 shkurt 2019 dërgoi mail drejtuar zëdhënësit Valon Salihu dhe mailit zyrtar për marrëdhënie me publikun që është vendosur në ueb faqen e Qytetit të Shkupit, por ende nuk ka marrë përgjigje lidhur me të dhënat e këtij projekti.

Edhe pse skelet janë vendosur që nga muaji tetor i vitit të kaluar, deri më tani asnjë punëtor nuk është paraqitur për të filluar punën. Gjashtë muaj jepen para për skelet, pa filluar fare punimet.

Këtë gjë e dëshmon edhe drejtori i kësaj shkolle, Visar Duraku, i cili tha se nuk ka dijeni se pse nuk kanë filluar punimet deri më tani.

“Që nga muaji tetor janë vendosur skelet për rinovimin e fasadës, por deri më tani nuk janë kryer punime. Investitor i këtij projekti është Qyteti i Shkupit, nuk e dimë se ku ka ngec procedura”, tha për Portalb.mk, Duraku.

Nga Qyteti i Shkupit kohë më parë thanë se punimet nuk kanë filluar për shkak të kushteve atmosferike, por nuk u përgjigjën lidhur me atë se sa kushton ky projekt, kur do të realizohet dhe sa paguhen skelet në muaj dhe sa para deri më tani ka humbur ky institucion për shkak të mos fillimit të punëve.

“Sipas informacioneve tona, punimet nuk kanë filluar shkaku i kushteve të papërshtatshme atmosferike”, tha për Portalb.mk, zëdhënësi i Qytetit Shkupit, Valon Saliu.

Ndryshe prindërit ankohen, duke thënë se gjithmonë projektet me rëndësi lihen pas dore dhe nuk i kushtohet vëmendja e duhur.

“Nuk është asgjë e re, jemi mësuar më. Projektet e kota, të panevojshme bëhen menjëherë kurse këto të rëndësishmet lihen pas dore. Është turp që shkolla të lihet në këtë gjendje, dhe pastaj ankohen për shpenzime marramendëse të energjisë elektrike. Po kur nuk është objekti i izoluar normal që shpenzimet do të jenë më të mëdha. Shikoni shkollën nuk ka fare fasadë. Bëjmë apel që projektet shkollore që kanë të bëjnë me kushtet e shkollave në të cilat mësojnë ardhmëria e këtij vendi t’i kushtohet më shumë rëndësi, e jo të premtojnë sa për sy e faqe e të mos bëhet asgjë. Çfarë po presin? Zgjedhje të reja?”, thonë prindërit.

Prindërit kërkojnë:

Të realizohen projektet e premtuara nga Qyteti i Shkupit në shkollat e mesme

Të investohet më shumë në kushtet e shkollave në Shkup

T’i kushtohet më shumë rëndësi projekteve dhe zhvillimit arsimor

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat