Shkup, u mbajt garë vrapimi me rastin e Javës së NATO-s

Shkupi

Shkup, u mbajt garë vrapimi me rastin e Javës së NATO-s

Më: 6 prill 2019 Në ora: 14:19
Gara e vrapimit me rastin e Javës së NATO-s

Në parkun e Qytetit në Shkup, u mbajt gara e vrapimit NATO e organizuar nga Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Armata, Këshilli Euro-Atlantik dhe Federata e Atletikës me rastin e Javës së NATO-s dhe 70-vjetorit të themelimit të Aleancës.

Mbi 270 pjesëmarrës vrapuan në shtegun e gjatë tre dhe pesë kilometra, ku tre më të mirët në dy shtigjet, do të shpërblehen me pjesëmarrje në një maratonë ndërkombëtare jashtë vendit.

Bashkë me qytetarët vrapuan edhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Vasko Gjurçinovski, ambasador i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, shefi i Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s në Shkup, koloneli Zoran Jankoviq dhe të tjerë.

“Sot, edhe simbolikisht treguam se të gjitha këto vite vrapuam drejt një qëllimi tonë të përbashkët, që është anëtarësimi në NATO, dhe kjo garë, fatkeqësisht ishte më e mundimshme se ajo sot pasi kërkonte shumë përpjekje dhe vetëmohim. Megjithatë, vendi ynë ka arritur qëllimin”, tha Shekerinska.

Ajo shtoi se vendi dëshmoi se është i bashkuar në dëshirën për t’u bërë më i mirë, më i sigurt, dhe më i begatë.

Garën e hapi shefi i Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s, Zoran Jankoviq, i cili shprehu bindjen e tij se Republika e Maqedonisë së Veriut së shpejti do të jetë anëtari i 30-të i Aleancës.

Fituesit do të marrin shpërblimet nesër, në Ditën e Hapur të Armatës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat