Shkupi shpreh zhgënjim për mos hapjen e bisedimeve nga BE-ja - Bota Sot
Shkupi shpreh zhgënjim për mos hapjen e bisedimeve nga BE-ja

Shkupi

Shkupi shpreh zhgënjim për mos hapjen e bisedimeve nga BE-ja

Më: 18 tetor 2019 Në ora: 20:21
Foto ilustrim

Dështimi për marrjen e datës në takimin e drejtuesve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Bruksel, u prit me zhgënjim në Shkup,

Kabineti qeveritar i zotit Zaev ka njoftuar përmes një komunikate se kryeministri maqedonas po zhvillon takime intensive në Shkup pas vendimeve të Këshillit Evropian dhe se “Kryeministri merr vendime duke u nisur vetëm në bazë të interesave më të larta të shtetit dhe të qytetarëve. Sapo të merren çfarëdo vendimesh përfundimtare ato menjëherë do të bëhen publike”, thuhet në komunikatë.

Burime brenda LSDM-së u kanë thënë mjeteve të informimit në Shkup se çdo veprim kryeministri do ta bëjë në mënyrë transparente, duke hedhur poshtë në këtë mënyrë spekulimet nëpër media për dorëheqjen e tij.

Në kuadër të këshillimeve, zoti Zaev, i cili është dhe kryetar i Lidhjes Social Demokrate është takuar me partnerin e koalicionit qeveritar, Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim për të diskutuar rreth përgjegjësisë së qeverisë dhe hapave të mëtejmë. Sipas burimeve brenda partisë shqiptare, është konstatuar se ky koalicion duhet të vijojë “me hapa të guximshëm drejt anëtarësimit në NATO dhe vazhdimin e rrugës për integrim në Bashkimin Evropian”.

Nga an atjetër, kryetari i partisë më të madhe opozitare, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski fajësoi kryeministrin Zoran Zaev për mosmarrjen e datës, duke u thënë gazetarëve se vendimi është rezultat i politikave të këqija të qeverisë së tij.

Ai bëri thirrje për zgjedhje të parakohëshme parlamentare. Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit maqedonas.

Ndërkaq, në Shkup duke reaguar për dështimin për marrjen e datës për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit presidenti Stevo Pendarovski u bëri thirrje drejtuesve të partive që t’i lënë mënjanë interesat partiake dhe bashkërisht ta riafirmojnë vizionin për vendin e tyre.

“Ballafaqimi me kriminalitetin e organizuar dhe korrupsionin e lartë nuk janë vetëm kushte për integrimin por shumë më tepër domosdoshmëri për ekzistencën e një rendi të qëndrueshëm juridik”, tha presidenti maqedonas duke nënvizuar se standardet evropiane duhet të bëhen edhe standarde të Maqedonisë së Veriut. Z. Pendarovski ka thirrur për të dielën një takim me drejtuesit e pushtetit dhe të opozitës.

Partitë opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ndërkohë, thonë se vendi prej sot ka hyrë në një krizë të thellë dhe se zgjedhjet e parakohëshme parlamentare janë të domosdoshme.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat