Shkup: Shoqëria civile u kërkon deputetëve të emërojnë drejtuesit e institucioneve - Bota Sot
Shkup: Shoqëria civile u kërkon deputetëve të emërojnë drejtuesit e institucioneve

Shkupi

Shkup: Shoqëria civile u kërkon deputetëve të emërojnë drejtuesit e institucioneve

Më: 28 nëntor 2019 Në ora: 17:33
Foto ilustrim

Pazaret politike kanë paralizuar funksionimin e shumë institucioneve në Maqedoninë e Veriut gjë që është e patolerueshme për një shtet që synon të bëhet pjesë e familjes evropiane, kanë theksuar përfaqësuesit e organizatave joqeveritare të cilat kishin dalë të martën për të protestuar para institucionit ligjvënës.

Organizatat joqeveritare kanë kërkuar nga deputetët që para se të shpërbëhet parlamenti si rrjedhojë e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të zgjedhin drejtorët në Entin Shtetëror për Revizion, Drejtorinë për Mbrojtjen e të Dhënave, Agjencinë për qasje deri tek informatat, si dhe zgjedhjen e anëtareve në Këshillin e Gjykatësve dhe anëtarët e komisionit për parandalimin nga korrupsioni.

“Jemi mbledhur para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut si iniciativë e 10 rrjeteve që përfshijnë në vete rreth 100 organizata joqeveritare, për të shprehur shqetësimin tonë për shkak të bllokimit të procesit për zgjedhjen dhe emërimin e shumë kuadrove për drejtimin e institucioneve dhe organeve të ndryshme në shtet”, ka theksuar Jovana Jovanovska Kanurkova, nga Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi.

Ajo ka theksuar se procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të komisionit për mbrojtje nga diskriminimi që më shumë se katër muaj kanë ngec në komisionet parlamentare , qytetarëve u pamundësohet të realizojnë të drejtën për barazi dhe mbrojtje nga diskriminimi.

“Qytetarët nuk kanë se ku të drejtohen për të kërkuar mbrojtje ndaj qasjes diskriminuese qoftë në sektorin privat apo atë shtetërorë. Dhe nëse nuk zgjidhen anëtarët e Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi para shpërbërjes së Parlamentit atëherë kemi frikë se ky organ do të mbetet i paralizuar ose i bllokuar më shumë se një vit”, ka theksuar Kanurkova.

Ndërkaq, Misha Popoviq nga Platforma e organizatave joqeveritare që në fokus kanë luftën kundër korrupsionit, ka theksuar se institucioni kryesor që ka për detyrë të kontrolloj rrjedhën e shpenzimeve të mjeteve nga buxheti meqë mbetet pa kokë tanimë një kohë të gjatë rrezikohet në masë të madhe dhe lufta efikase ndaj korrupsionit.

“Atë që e di është se edhe në Entin shtetëror për Revizion janë të shqetësuar për këtë gjendje” thekson Popoviq.

Organizatat joqeveritare kanë theksuar se mos zgjedhja e 3 anëtareve të komisionit të këshillit gjyqësorë vë në pikëpyetje dhe funksionimin e këtij institucioni.

“Edhe më problematike dhe shqetësuese është momenti se vihet në rrezik procedurat të cilat janë iniciuar për shkarkimin e gjykatësve të cilat lëndë mund të vjetërsohen nëse nuk zgjidhen më kohë anëtarët e Këshillit Gjyqësor”, thekson Sibel Ahmeti.

Komisioni për përzgjedhje dhe emërime në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut tanimë disa muaj është duke prolonguar seancat me kërkesë të deputetëve ose fare nuk caktohet mbledhje për zgjedhjen e drejtuesve të institucioneve ku mungojnë drejtorët.

Kjo ka bërë që Enti shtetëror për Revizion të mbetet pa drejtor tanimë dy vite. Pa drejtor funksionon tanimë disa muaj dhe agjencia për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik, dhe Drejtoria për mbrojtjen e të dhënave.

Komisioni parlamentar për zgjedhje dhe emërime duhet të prononcohet dhe për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Gjyqësor, Komisionit për parandalimin e korrupsionit, dhe agjencisë për shërbime audiovizuele.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat