Aleanca për shqiptarët: Heshtja ndaj rrahjes në Shkup të tre shqiptarëve nga Kosova përkeqëson raportet shtetërore

Shkupi

Aleanca për shqiptarët: Heshtja ndaj rrahjes në Shkup të tre shqiptarëve nga Kosova përkeqëson raportet shtetërore

Më: 13 dhjetor 2019 Në ora: 17:07
Pamje nga vendi i ngjarjes

Rrahjen e tre djemve nga Kosova nga grupi i tifozëve “Komitët” në Shkup, Aleanca për Shqiptarët e vlerëson si sulm direkt ndaj shqiptarëve dhe të drejtave elementare që çdo vizitor duhet t’i gëzojë në momentin që shkel në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Aleanca për Shqiptarët mbështet protestën paqësore të banorëve të Hanit të Elezit, të cilët nuk kërkojnë gjë tjetër veç se drejtësi. Ne si parti opozitare kërkojmë nga të gjitha organet kompetente trajtim të duhur të rastit dhe përgjegjësi penale nga kryerësit e veprës penale, ndërkaq kërkojmë përgjegjësi edhe nga personat që është dashur t’iu japin ndihmën e parë të lënduarve, në rast se vërtetohet trajtimi jo adekuat ndaj të rinjve kosovarë”, thuhet në njoftimin për media të kësaj partie.

Sipas kësaj partie, heshtja ndaj këtij rasti, por edhe më keq mos trajtimi i duhur i rastit mund të përkeqësojë raportet fqinjësore të Maqedonisë së Veriut me Kosovën, si dhe të tensionojë gjendjen brenda territorit të Maqedonisë së Veriut.

“Duke pasur parasysh që ky nuk është rasti i parë i tillë, kërkojmë edhe mbikëqyrje më të rreptë gjatë ndeshjeve të futbollit, që në të ardhmen mos të përsëriten raste të tilla”, thuhet më tej në këtë njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat