Shkup, fillon terapia me plazmën e gjakut kundër koronavirusit

Shkupi

Shkup, fillon terapia me plazmën e gjakut kundër koronavirusit

Më: 28 prill 2020 Në ora: 19:02
Në hyrje të Klinikës Infektive (Shkup)

Autoritetet shëndetësore në Shkup fillojnë prej të martës terapinë me plazmën e gjakut nga pacientët e shëruar prej koronavirusit, për pacientët me këtë sëmundje të shtruar në spitalin “8 Shtatori” në kryeqytet. Po ashtu, siç ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, do të zbatohet edhe ozonoterapia për pacientët me COVID-19. Në klinikën e Transfuziologjisë bëhet dhurimi i gjakut nga pacientët tashmë të shëruar. Procesi bëhet në bazë vullnetare. Një person tashmë i shëruar duhet të ketë kaluar një periudhë prej më tepër se dy javësh pas shërimit dhe të ketë bërë dy teste të cilat duhet të jenë negative, i fundit brenda 24 orëve, në mënyrë që plazma nga gjaku i tij të përdoret për pacientët e infektuar nga koronavirusi, natyrisht nëse i përmban antitrupat e nevojshëm.

Ndërkohë ozonoterapia është metodë që përdoret për trajtimin e pacientëve në gjendje më të rëndë.

Ministri Flipçe tha se janë bërë një sërë analizash dhe në bazë të përvojave nga shtete të tjera, anestezilogët e vendit kanë ardhur në përfundim se “ia vlen të aplikohet kjo terapi tek pacientët tek ne”.

Autoritetet shëndetësore maqedonase, nga ana tjetër, nuk janë të sigurt se kur mund të arrihet piku i koronavirusit, megjithëse para disa javësh vlerësonin se do të ishte fundi i prillit. Masat shtrënguese ende nuk janë lehtësuar përveç një shkurtimi të orës policore që tash vlen prej orës 19 deri në 5 të mëngjesit dhe modifikimit të orëve të lëvizjes në fundjavë. Në të vërtetë, të martën qeveria mori vendim që ora policore gjatë fundjavës që vjen të hyjë në fuqi nga e premtja në orën 14:00 deri në 5:00 të mëngjesit dhe po kështu të shtunën dhe të dielën për shkak të festës së 1 Majit që në Maqedoninë e Veriut shënohet me dalje në masë të njerëzve në natyrë.

Numri i përgjithshëm i të prekurve me COVID-19 ka kaluar 1400, megjithëse 589 nga kjo shifër rezultojnë të shëruar, qoftë në kushte spitalore ose shtëpiake. Numri i viktimave të virusit është 71. Shkalla e vdekshmërisë është 4.6% dhe kjo është regjistruar më shumë tek burrat, megjithëse më shumë gra se sa burra rezultojnë të infektuara nga koronavirusi./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat