​Shënohet 110-vjetori i lindjes së Nënë Terezës

Shkupi

​Shënohet 110-vjetori i lindjes së Nënë Terezës

Më: 26 gusht 2020 Në ora: 16:27

Në 110-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës u zbulua pllaka përkujtimore në shenjë kujtimi për jetën dhe veprën e saj.

Pllaka u zbulua në qendër të Shkupit, në vendin e shtëpisë ku ishte lindur Gonxhe Bojaxhiu.

Nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve paralajmëruan se aktiviteti i radhës i departamentit të Nënë Terezës në ITSHKSH është ngritja e një mense për të varfrit, sipas shembullit të kujdesit të Nënë Terezës.

“Është një ngjarje e jashtëzakonshme e cila neve na nderon si qytetar të këtij vendi ku kjo bijë e Shkupit e cila lindi para 110 viteve dhe i dha botës mbarë shumë në aspektin humanitar dhe na nderoi ne si shkupjan, por edhe si shtet dhe si komb”.

Pas shpalosjes së pllakës përkujtimore ka reaguar gazetarja Diana Toska, ideatore e himnit për shenjtoren Nënë Tereza, tha se pllaka në fjalë nuk ka koncept ideor e as estetik, duke shtuar se për shkak të shenjtërimit të saj në vitin 2016 është dashur të shkruhet Shën Tereza dhe jo vetëm Nënë Tereza. Madje, Toska reagoi edhe për vendosjen e emrit të donatorit në pllakën përkujtimore.

“Nëse e shihni në pllakën tjetër është kryqi, një identifikim i Nënës Terezë. Në pllakën në gjuhën shqipe kryqi i saj nuk vendoset dhe kjo lë shumë për të dëshiruar. Çka fshihet pas kësaj, pse nuk vendoset, kush i frikohet identitetit ose vallë mos të karikojë të them që a do të shndërrohet Nënë Tereza në myslimane. Ky është një absurd i paparë, nuk ka koncept ideor e as përmbajtjesor kjo pllakë. Pastaj në anën tjetër vendoset emri i donatorëve. Nëse e marrim aspektin humanitar të bamirësisë të gjithë donatorët asnjëherë nuk e shënojnë nëse e bëjnë në aspektin bamirësie, emrin e tyre. Por, këtu qëndron prapavija politike atëherë kjo është edhe më e keqe sepse manipulohet, luhet dhe shfrytëzohet emri i Nënës Terezë për çështje politike”, tha Toska.

Nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza u lind më 26 gusht 1910 në Shkup. Ndërroi jetë më 5 shtator 1997. Nënë Tereza nga Kisha e Shenjtë në Vatikan u shpall Shën Tereza. Në këtë përvjetor u promovua edhe libri “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë Tereza, një sagë për jetën e shqiptarëve katolikë të Shkupit”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat