Parregullsi në disa ndërtime në Çarshinë e Vjetër të Shkupit

Shkupi

Parregullsi në disa ndërtime në Çarshinë e Vjetër të Shkupit

Më: 7 tetor 2020 Në ora: 22:22
foto ilustrim

Inspektorati Shtetëror për Ndërtim dhe Urbanizëm ka konstatuar parregullsi në ndërtim në disa objekte që ndodhen në Çarshinë e Shkupit dhe për të njëjtat kërkon që të prishen.

Në dokumentin të cilin “Alsat” e ka siguruar në mënyrë jozyrtare përmenden parcelat me numër 9438, 8965 dhe 8959.

Parcela me numër 9438 e kontrolluar në sistemin online, bëhet fjalë për objektin i cili njihet si “Menada”, ndërsa tani “Hurem”. Për këtë Inspektorati ka konstatuar parregullsi në mbindërtim për çka ka vendosur për prishjen e asaj pjese.

Për parcelat me numër 8959 dhe 8965, Inspektorati ka ngritur procedurë për prishjen e disa pjesëve të objekteve që ndodhen aty. Nga ajo që shihet në versionin online të Kadastrës, në parcelën 8959 ndodhet objekti i ri i ndërtuar kohë më parë në të cilin ndodhet edhe hoteli DOA. Ndërsa parcela 8965 ndodhet po ashtu në këtë pjesë të Çarshisë.

Sipas Inspektoratit Shtetëror për Ndërtim dhe Urbanizëm parregullsi për ndërtim janë vërejtur edhe në parcelën 9173/1, objekt i cili ndërtohet pas Hotelit “Bushi Resor” dhe në parcelën 9317, e cila ndodhet në Qendër të Çarshisë afër “Kapan Anit”, ndërsa për këto objekte procedurat janë në vijim.

Qeveria në muajin shkurt e ka obliguar Inspektoratin Shtetëror për Ndërtim dhe Urbanizëm që të bëjë kontrolle plotësuese në Çarshinë e Vjetër. Por edhe pse e kanë marrë raportin nga Inspektorati, në pyetjen për Alsat përgjigjen se në seancën e mbrëmshme nuk e kanë shqyrtuar atë.

“Qeveria në seancën e nëntë nuk ka diskutuar dhe nuk ka vendosur për këtë çështje”, thonë nga Qeveria.

Kryetari i Komunës së Çairit thotë se pas raportit të Inspektoratit pret që Ministria e Transportit dhe Lidhjeve të veprojë, pasi ajo është kompetente për dhënien e lejeve për ndërtim në Çarshi..

“Ka disa objekte, tash nuk e di sepse inspektorati në fjalë i ka evidentuar, i ka procesuar dhe i ka dërguar atje ku duhet- tha Ganiu.

Raportin nuk deshën ta komentojnë as në Ministrinë e Transporti e as në Inspektoratin Shtetëror për Ndërtim dhe Urbanizëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat