Vetëm tre nxënës regjistrohen në shkollën e muzikës në Shkup, thonë se muzika është haram

Shkupi

Vetëm tre nxënës regjistrohen në shkollën e muzikës në Shkup, thonë se muzika është haram

Më: 14 tetor 2020 Në ora: 00:31
Foto ilustrim

Në paralelen e gjuhës shqipe në shkollën e mesme të muzikës “Ilija Nikolovski Luj” – Shkup, këtë vit interesimi i nxënëseve shqiptarë për t’u regjistruar është shumë i vogël. Një ndër pengesat më të mëdha për tu regjistruar në këtë shkollë duket se janë paragjykimet që muzika është e ndaluar në aspektin fetar (haram).

Mustafa Imeri, shef i katedrës së paraleles shqipe në shkollën “Ilija Nikolovski – Luj”, është shprehur se ekzistojnë arsyeje të ndryshme se pse nuk ka numër të madh të nxënësve këtë vit.

“Njëra ndër arsyet që na ka penguar ta promovojmë paralelen e gjuhës shqipe në shkollat fillore, ka qenë situata e krijuar me virusin korona. Mes tjerash edhe nga ana e prindërve ka interesim të vogël për t’i prurë fëmijët në shkollën e muzikës”, është shprehu Imeri.

Sipas tij, një pengesë e madhe për tu regjistruar në këtë shkollë është dhe paragjykimet që muzika është e ndaluar në aspektin fetar (haram), që i bënë shumë prindër t’i ndalojnë fëmijët e tyre për të ardhur te ne.

Sa i përket rrezikimi të mbylljes së paraleles shqipe, Imeri shprehet se ata janë shkollë profesionale dhe Ministria e Arsimit i ka lejuar që të punojnë edhe me tre-katër nxënës.

“Numri i nxënësve në shkollën e ulët të muzikës shqipe është në rritje dhe besojmë se në vitin e ardhshëm edhe numri i nxënëseve në shkollën e lartë dukshëm do të jetë më i madh. Numri i nxënëseve është duke rënë edhe te paralelet maqedonase nga 25-30 sa kishin, tani kanë rënë në 10”, thekson Imeri.

Ai ka shtuar se të gjithë nxënësit që kanë kryer shkollimin e mesëm të muzikës tani janë të punësuar në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare. Ndërkohë, siç tha ai, është ngritur dhe iniciativa e orkestrës shtetërore shqiptare, pra mundësia për punësim është e madhe. Në fund, Imeri ka apeluar që prindërit të interesohen më shumë dhe ti sjellin fëmijët në këtë shkollë edhe për çështjen e ruajtjes së vlerave kombëtare.

Arsimtari i muzikës në shkollën fillore “25 Maji” në Hasanbeg, Ramadan Osmani, ka thënë se vlerëson se ka shumë kapacitet dhe talent në kategorinë e nxënësve të klasave të ulëta.

“Nxënësit e fillores kanë dëshirë të njohin artin, kulturën dhe të luajnë në instrument, ajo gjë i përmbush, e them këtë me bindje pasi thuajse çdo ditë përballem me energjinë e tyre”, nënvizon ai.

Osmani, ka shtuar se janë tre faktorë kryesor që ndikojnë dhe e shuajnë entuziazmin e tyre. Sipas tij, e para është neglizhenca institucionale për kulturën dhe artet në përgjithësi, e dyta është papërgjegjshmëria e mësimdhënësve adekuat të kësaj dege për t’u marrë me talentet e mundshëm si dhe e fundit është angazhimi shumë i dobët dhe mungesa e një strategjie konkrete nga ana shkollave profesionale dhe misionarëve të atyre shkollave për t’u krijuar mundësi të kenë informacione dhe qasje më të lehte paraprake për shkollimin profesional në këtë drejtim.

“Duke ia shtuar kësaj edhe faktin e asaj se tek ne ende ekziston mendësia provincialiste për muzikën dhe artin në përgjithësi, për të cilën gjendje bashkëfajtor jemi të gjithë ne, e posaçërisht ata që kanë rol kryesor në institucionet përkatëse për t’u marrë me këto çështje zhvillimore”, përfundon Osmani.

Ndërkohë ish-nxënësi i kësaj shkolle, Talat Osmani, ka deklaruar se gjatë kohës që ka qenë ai nxënës i kësaj shkolle interesimi i nxënëseve ka qenë i madh dhe çdo vit kanë dalë afër 30 nxënës nga kjo shkollë.

“Pasi që ka kaluar një kohë tash nuk mund të supozoj se pse është interesimi kaq i vogël i nxënëseve dhe të adresoj problemin. Deri sa kam qenë unë ka funksionuar mirë shkolla”, shprehet ai. Osmani, bënë apel që t’i kushtohet rëndësi të më të madhe artit dhe muzikës në shoqërinë se kështu mbrojmë dhe vlerat tona kombëtare.

Ndryshe, paralelja në gjuhën shqipe në shkollën e lartë të muzikës “Ilija Nikolovski – Luj”, është shkollë rajonale ku pranon nxënës nga qytet dhe rrethinat e Shkupit, Kumanovës dhe Velesit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat