Shkup – Bllacë, ende pa filluar punimet

Shkupi

Shkup – Bllacë, ende pa filluar punimet

Më: 22 nëntor 2020 Në ora: 15:35
Shkup – Bllacë, ende pa filluar punimet

Edhe pse Marrëveshja për ndërtimin e rrugës Shkup – Bllacë, që e lidh Maqedonisë e Veriut me Republikën e Kosovës ishte nënshkruar në janar të këtij viti dhe ishte premtuar se punimet do të fillojën në pranverë, edhe pse kanë kaluar tetë muaj të plotë, punimet në këtë rrugë nuk kanë filluar aspak. Problem duket të jetë shpronësimi i tokave, e cila nuk është zgjidhur ende, pasi së pari duhet të bëhet shpronësimi i 68 parcelave të banorëve të fshatit Bllacë.

Ndonëse u premtua për më shumë se një dekadë, ndërtimi i plotë i Autostradës Bllacë-Shkup do të zgjasë së paku deri në fund të vitit 2023. Në janar, ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore” firmosi projektin për dy kilometrat e para me kompaninë ndërtuese “Granit”, pjesë e cila do të kushtojë 12,2 milion euro nga buxheti i shtetit. Kjo punë pritet të zgjasë plotë 18 muaj, që të fillojë nga vendkalimi kufitar i Bllacës deri në mbikalimin e parë të Bllacës.

Autostrada do të jetë e gjerë 27,5 metra, me dy trase me nga tri korsi prej 3,5 metra, e cila do të përshkoj një vijë tjetër nga rruga aktuale. Për segmentin e dytë të autostradës, Fondi Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor ka dhënë një grant prej 26,7 milion euro, kurse pjesa tjetër mbi 70 milion euro do të merret kredi prej Bankës Evropiane për Zhvillim-BERZH. Pjesa e mbetur prej 10,5 km është në fazën projektuese dhe autoritetet thanë se tenderi pritet të hapet në fillim vitin e ardhshëm, segment i cili do të zgjasë edhe 36 muaj të tjerë.

Autostrada e plotë prej 12,5 km do të ketë katër tunele dhe tetë ura, dy lidhje, njëra në fshatin Bllacë dhe tjetra në Stenkovec.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, autoritetet thanë se prerja e shiritit do të bëhet pas 2023-ës, dhe udhëtimi prej Shkupit deri në Prishtinë do të zgjasë 45 minuta. Ndërkaq Kosova, nga pjesa tjetër e kufirit deri në Prishtinë për më pak se pesë vjet përfundoi ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” me gjatësi prej 55 kilometra, e cila kushtoi 600 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat