Ministri austriak Schallenberg optimist për zgjidhjen e ngërçit Shkup-Sofje

Shkupi

Ministri austriak Schallenberg optimist për zgjidhjen e ngërçit Shkup-Sofje

Më: 10 maj 2022 Në ora: 20:08
Foto nga takimi

Ministri austriak për çështjet e Evropës Alexandër Schallenberg ishte të martën për vizitë në Shkup, ku tha se shikon një mundësi drejt zgjidhjes së ngërçit midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Zoti Schallenberg e quajti zgjerimin e Bashkimit Evropian një nevojë gjeo-strategjike dhe u shpreh optimist për arritjen e një zgjidhjeje në muajt e ardhshëm.

Ministri austriak për çështjet e Evropës dhe ato ndërkombëtare, Alexander Schallenberg erdhi në Shkup nga Sofja, në përpjekje të zgjidhjes së ngërçit midis dy vendeve fqinje që po mba peng integrimin e vendit të vogël ballkanik drejt Bashkimit Evropian. Zoti Schallenberg ka shpresa se mosmarrëveshjet do të zgjidhen para se të fillojnë pushimet verore. Në një konferencë për media ai nuk dha shumë hollësi për bisedat me autoritetet bullgare, ndërsa theksoi se Blloku ndodhet para një vendimi gjeopolitik, duke pasur parasysh luftën në Ukrainë dhe rrezikun e mundshëm për rajonin e Ballkanit që imponon hapjen e rrugës së zgjerimit të BE-së.

"Për Austrinë është një detyrë gjeo-shtrategjike që Ballkani Perëndimor të bëhet patjetër pjesë e Bashkimit Evropian. Këtë e kemi thënë para 20 vjetësh dhe u kemi premtuar këtyre shteteve (anëtarësimin në BE)”, tha zoti Schallenberg. Ai tha se për shkak të rrethanave në Ukrainë tani është koha që BE të tregojë besueshmëri.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të bëjnë një hap përpara dhe përfundimisht të fillojnë bisedimet me BE-në”, tha zyrtari i lartë austriak.

Ministri austriak tha se Maqedonia e Veriut paraqet shembull për konttibutin e dhënë lidhur me qëndrueshmërinë në rajon dhe se kjo gjë duhet tëe vlerësohet nga BE-ja. Bashkimi Evropian, shtoi ai, duhet të dëshmojë se ka fuqi gjeopolitike të bëjë hapa të përshtatshëm drejt një procesi të ri. Në të kundërtën, ndoshta do të ballafaqohemi me shtete të cilat do të sjellin destabilizim, u shpreh ministri austriak.

Lidhur me bisedimet Shkup–Sofje, ndonëse tha që janë gjëra të vogla ato që kanë mbetur pa u zgjidhur, zoti Schallenberg u shpreh se nuk mundet që njëra palë të lëshojë pe dhe tjetra të jetë bllokuese. “Mendojmë se duhet të gjendet një gjuhë e përbashkët sepse këto janë çështje të ndjeshme”, tha ai.

Por, pala maqedonase nuk shikon ndryshim të kursit në Sofje, madje ministri i jashtëm Bujar Osmani është shprehur se nëse deri në qershor, para takimit të pritshëm të Bashkimit Evropian për marrjen e datës, nëse nuk zgjidhen problemet me Sofjen, atëherë Maqedonia e Veriut do t’i ngrijë bisedimet me fqinjin e saj. Kjo gjë shikohet si ultimatum në Sofje.

Ministri i jashtëm, Bujar Osmani tha se Maqedonia e Veriut pret që BE-ja të tregojë përcaktim strategjik për Ballkanin Perëndimor në këto rrethana të reja gjeopolitike.

Bullgaria kërkon mes tjerash që pakica bullgare në Maqedoninë e Veriut të bëhet pjesë e kushtetutës së këtij vendi, një veprim që është kundërshtuar haptas nga Shkupi./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat