Përurohet rruga “Ismail Qemali”, një adresë e re e shkupjanëve

Shkupi

Përurohet rruga “Ismail Qemali”, një adresë e re e shkupjanëve

Më: 12 maj 2022 Në ora: 12:12
Foto ilustrim

– Sot në Shkup, në lagjen Fushë Topanë, u përurua rruga “Ismail Qemali” (ish “Bllagoja Paroviq”). Në përurimin e kësaj rruge mori pjesë kreu i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, i shoqëruar nga disa deputetë si dhe prof.dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH, në cilësinë e inisiatorit për riemërtimin e rrugëve të Shkupit.

Ky është një hap i rëndësishëm në rikthimin e lavdisë së dikurshme që e kishte Shkupi, duke vendosur shenjat orientuese me emra shqiptarësh. Kësaj radhe në Shkup vjen një emër i madh – Ismail Qemali, i cili në kujtesën e shkupjanëve të moçëm ka ngelë një figurë unike që bashkëpunoi me krerët e Lëvizjes kombëtare nga Vilajeti i Kosovës në procesin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Nderimi ndaj Ismail Qemalit nuk do të përfundoj me kaq, pasi që planifikohet që krahas Hasan Prishtinës, figura e tij të përjetësohet në një shtatore bronxi.

Riemërtimi i rrugëve e shesheve të Shkupit (mbi 150 sish) kishte filluar para disa viteve dhe ishte bërë realitet pas miratimit të iniciativës së ITSHKSH në Asamblenë komunale të Qytetit të Shkupit, ku një kontribut të jashtëzakonshëm dhanë edhe asambleistët shqiptarë.

Së shpejti pritet që edhe një rrugë e Shkupit (ish “Llazar Tanev”) të përurohet me emrin e Ukshin Hotit, ku pritet të marrin pjesë edhe prsonalitete nga Kosova, përfshi edhe familjarët të Hotit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat