Aeroporti i Shkupit “vërshohet” nga udhëtarët

Shkupi

Aeroporti i Shkupit “vërshohet” nga udhëtarët

Më: 28 korrik 2022 Në ora: 20:30
Aeroporti i Shkupit

Radhë të gjata të pritjeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit. Turma të udhëtarëve dynden në sportelet duke pritur për të dorëzuar valixhet. Disa ankohen për mos organizim të punës së personelit, disa të tjerë thonë se ka edhe më keq, anulim të fluturimeve. Sezoni verës ka mbingarkuar fluturimet.

“Jam nga Shtipi, jetoj në Amerikë. Doja të udhëtoja për Çikago përmes Vienës, por fluturimi u vonua në mëngjes dhe pasi bëra check-in më thanë fillimisht që është anuluar fluturimi, pastaj zbrita në sportel dhe pritëm afër 4 orë poshtë. U desh të kthehemi se na thanë se nuk ka vend, madje deri më 7 gusht”, u shpreh një qytetar.

“Jo nuk na duket në rregull se tani në fund e hapën një rend, po na bie shumë të presim na vonojnë edhe aeroplanin, na vjen keq që presim kështu gjithë. Shumë keq, njerëzit të hipin mbi kokë, disa të parakalojnë disa të shtynë edhe pse je me bebe nuk ju intereson, vërtetë keq”, tha një Qytetar.

“Nuk është ne rregull hiç! Shumë ndryshe, vonojnë pa nevojë te kontrollimi i biletave, atje e ke në telefon dhe ecën këtu nuk ka rend askund”, u shpreh një Qytetar.

Sipas udhëtarëve, procedurat e deklarimit on-line të destinacioneve iu marrin më tepër kohë gjatë check-in’it për në shtetet e Evropës, SHBA-së dhe Australisë.

Nga “Tav Maqedoni” thonë se gjatë muajit korrik janë anuluar 37 fluturime në 2 aeroportet e vendit, në Shkup e Ohër. Sipas kompanisë shkaqet e anulimeve kryesisht kanë qenë operative ose për shkak të motit.

“Edhe përkundër faktit që ndodh që kompanitë ajrore të anulojnë fluturimet në dy aeroportet e vendit, nuk mund të themi se kjo është për shkak të një arsye të përgjithshme. Si operator ne marrim informacionet nga kompanitë ajrore, në mënyrë që ata vendosin për vonesat ose anulimet e fluturimeve, ndërsa të njëjtat ndodhin ose për shkaqe operative ose për shkak të kushteve të motit. Ajo që është më e rëndësishme është se dy aeroportet e vendit nuk kanë probleme me kapacitet të cilat mund të shkaktonin vonesa ose anulime. Ne nuk kemi pranuar ankesa nga udhëtarët sa i përket vonesave të fluturimeve. Zakonisht udhëtarët ankesat e tilla i drejtojnë te kompanitë ajrore ku kanë blerë biletat”, “TAV Maqedoni”.

Në periudhën nga 1 korriku deri më 25 korrik në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit janë realizuar gjithsej 1,572 fluturime. Në Aeroportin e Ohrit, në të njëjtën periudhë kohore janë realizuar gjithsej 100 fluturime. Në Aeroportin e Shkupit gjatë korrikut kanë arritur mbi 120 mijë udhëtarë, ndërsa mbi 85 mijë janë larguar. Në Aeroportin e Ohrit kanë aderuar mbi 18 mijë pasagjerë, ndërsa janë larguar mbi 9.500 pasagjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat