Shkupi, shprehje e revitalizimit shpirtëror e kulturor të hapësirës sonë kombëtare

Shkupi

Shkupi, shprehje e revitalizimit shpirtëror e kulturor të hapësirës sonë kombëtare

Nga: Mehmet Prishtina Më: 12 gusht 2022 Në ora: 20:05
Mehmet Prishtina

Në Shkup sërish po bashkohemi për të kujtuar 110 vjetorin e çlirimit nga kryengritësit shqiptarë. Nga këndvështrimi i sotëm, kjo ngjarje sa e lavdishme po aq edhe domethënëse, i bën bashkë aspiratat e së ardhmes dhe mësimet e së kaluarës. Shkupi jo rastësisht e pati peshën e vet në hartat gjeopolitike të të gjitha kohërave, kure sa i përket interesave tona kombëtare, ky qytet, që nga Dardania e lashtë e deri në ditët e sotme, nuk do ta kishte rëndësinë e vet sikur të mos lidhej ngusht me idetë dhe planet e ideologëve tanë që pikërisht Shkupi të bëhej piemont i shqiptarizmës. Por, rrjedha e ngjarjeve nganjëherë është më kokëfortë se aspiratat e popujve, andaj edhe Shkupi e humbi, pa dëshirën e shqiptarëve, shkëlqimin e dikurshëm.

Por, kemi vërejtur se ky shkëlqim viteve të fundit ka filluar të kthehet sërish në horizontin e pritjeve, duke i vendosur disa nga copëzat e lavdisë së dikurshme në algoritmin e kërkesave aktuale për një Shkup ku fryma shqiptare po depërton sërish nëpër kapilarët e këtij qyteti me shumë lavdi... U ndryshuan shumë emra rrugësh, sheshesh, e bulevardesh dhe kjo nuk ndodhi krejt rastësisht. U desht një angazhim vetmohues i ITHKSH në krye me drejtorin prof.dr. Skender Asanin, i mbështetur edhe nga strukturat intitucionale komunale e qendrore, që mbi planimetrinë e vjetër të Shkupit të vendoset një hartë e re me emra patriotësh, veprimtarësh e intelektualësh shqiptarë, sepse vetëm kështu mund t’i kthehet një pjesë e borxhit që brezi ynë ka ndaj Shkupit historik dhe gjithë atyre që e bënë atë epiqendër të zhvillimeve kombëtare.
Me këtë rast nuk mund të mos e fshehi edhe entuziazmin tim sa i përket emërtimit të një bulevardi me emrin e ideologut dhe patriotit tonë Hasan Prishtina, një arterie kjo kryesore që lidhë dy shtetet tona – Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Dhe të gjithë ata që do të qarkullojnë nëpër këtë bulevard, do të kujtojnë lavdinë dhe krenarinë e një kohe e cila matej jo me akrepat e orës, por me tiktakun e zemrës së patriotëve tanë, të cilët flijuan gjithça për të mirën tonë të përgjithshme. NJë nga ata ishte pa dyshim edhe Hasan Prishtina, lidhja e të cilit me Shkupin kalonte përtej angazhimeve rutinore që ai i kryente në këtë qytet. Ai jo rastësisht e kishte targetuar Shkupin si pikë referuese prej nga do të shpëndahej gjithë energjia dhe kreativiteti i shtendërtimit shqiptar. Lidhja e Hasan Prishtinës me Shkupin ta kujton lidhjen e Anteut antik me tokën dhe kuptimi i kësaj lidhje mund të shpjegohet me faktin se Shkupi në gjeopolitikën e atëhershme shqiptare paraqiste jo vetëm e piqendrën e zhvillimeve kombëtare, por edhe një gurë peshoreje prej ku varej graviteti i politikave ballkanike e evropiane. Prandaj, jo rastësisht të gjitha ushtritë që kanë pushtuar Shkupin, e kanë quajtur si akt të rëndësishëm gjeostrategjik futjen e këtij qyteti në guidat e tyre ekspanonsioniste e hegjemoniste.

Nëse Shkupi në të kaluarën mund të llogaritet si një shansë e parealizuar e shtetndërtimit kombëtar, kjo nuk do të thotë se ky qytet nuk mund ta sendërtojë një kauzë të re e cila do të ishte shprehje e revitalizimit shpirtëror e kulturor të kësaj hapësire kombëtare shqiptare.

Puna që aktualisht po bën ITSHKSH është treguesi më i mirë i këtij revitalizimi, kurse mësimet që do të nxjerrim nga kthinat së kaluarës mund të na shërbejnë si rrugëtregues i hapërimit tonë drejt një konsolidimi kulturor e shpirtëror, përmes ideve e projekteve që janë për nga karakteri evropiane, kurse për nga qëllimi kombëtare.

Duke kujtuar 110 vjetorin e çlirimit të Shkupit dhe gjithë kolosët e atdhetaris shqiptare, siç ishin Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Idriz Seferi, ne sot ndjejmë edhe pulsin e kohës që na fton të jemi më mirëkuptues në mes veti dhe më bashkëpunues me të miqtë tanë të afërt e të largët, pa harruar bajraktarin e miqëve – Amerikën, e cila na u ndodhë afër si komb atëherë kur e kishim më së vështiri.
 

Shkup, 12 gusht 2022

(Fjalë rasti në shënimin e 110 vjetorit të çlirimit të Shkupit nga kryengritësit shqiptar, mbajtur në ITSHKH)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat