Mbetet në fuqi vendimi për suspendimin e prokurores maqedonase, Vilma Ruskovska

Shkupi

Mbetet në fuqi vendimi për suspendimin e prokurores maqedonase, Vilma Ruskovska

Më: 24 gusht 2022 Në ora: 21:28
Prokurorja e suspenduar, Vilma Ruskovska.

Këshilli i Prokurorëve të Maqedonisë së Veriut të mërkurën, më 24 gusht, ka lënë në fuqi vendimin e Prokurorit të Republikës për suspendimin nga puna të prokurores për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Vilma Ruskovska.

Kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Antonio Jolevski, tha se ka vendosur të lë në fuqi vendimin për suspendim “me qëllim që Ruskovska të mos mund të ndikojë në punën e prokurorëve tjerë në procedurën që po ndiqet ndaj saj dhe dy prokuroreve tjera”, të cilat me urdhër të Ruskovskën, kishin bastisura zyrat e Policisë Financiare, në mënyrë joligjore, bazuar në vlerësimet e Prokurorit të Republikës.

Ruskovska kishte urdhëruar bastisjen bazuar në një thirrje anonime për gjoja “zhvatje” nga drejtori i Policisë Financiare, Arafat Muaremi, por pa pasur asnjë dëshmi dhe duke shkelur procedurat e hetimit, ka thënë institucioni i Prokurorit të Republikës.

Kjo kishte bërë që drejtori i Policisë Financiare, të ngrehë padi ndaj prokurores së krimit të organizuar, Vilma Ruskovska, e cila në ndërkohë u suspendua nga puna deri në përfundimin e hetimit. Por, nga posti dha dorëheqje edhe kreu i Policisë Financiare për të mos ndikuar në rrjedhën e hetimeve.

Megjithatë, prokurorja e suspenduar, Vilm Ruskovska para mediave më 20 gusht, suspendimin e saj e quajti “suspendim të ligjit dhe të drejtësisë” në Maqedoninë e Veriut duke akuzuar për “presione politike nga qeveritë e kaluara”, duke aluduar nga në atë që drejtohet nga ish-kryeministri, Zoran Zaev.

“Suspendimin tim e konsideroj pezullim të ligjit dhe pezullim të drejtësisë. Pavarësisht se ka pasur njoftime se rastet do të vazhdojnë me intensitet të pandërprerë, pas kësaj që më ndodhi, nuk besoj se ndonjë koleg do të vazhdojë seriozisht të veprojë për to”, ka deklaruar Ruskovska.

Por, kreu i Këshillit të Prokurorëve, Antonio Jolevski, tha se akuzat e tilla duhet të adresohen në vendin e duhur dhe jo në media.

“Prokurorët mund të na drejtohen neve dhe të kërkojnë ndihmë në rast se ndaj tyre ka presione. Ne këtë detyrë kemi, dhe jo pretendimet për presione të jepen në media. Nuk është e drejtë të dalësh në media, të thuash se kam presione dhe mos t’i drejtohesh Këshilli të Prokurorëve se kush e bën presionin që të mund të nisim procedurë”, tha Jolevski, duke kritikuar edhe mungesën e komunikimit mes institucioneve të ndjekjes penale.

“Në këtë rast nuk kishte asnjë komunikim mes Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Prokurorit Republikan dhe arsyet për këtë do t’i mësojmë në procedurën në vijim. Nuk kishte asnjë komunikim apo bashkëpunim mes Policisë Financiare që duhet të zbulojë krimin e organizuar dhe Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar që duhet të hetojë apo të ngre padi për raste të tilla...Për këtë duhej të njoftohej edhe Prokurori Republikan që të kapërcehet një situatë e tillë, por kjo nuk ndodhi dhe kishin një luftë mes institucioneve dhe ne akoma nuk kemi asnjë informacion mbi gjithë atë që ka ndodhur”, shtoi Jolevski.

Përplasja mes këtyre institucioneve nuk është komentuar nga Qeveria, ndërsa njohësit e çështjeve juridike kanë thënë se “konfrontimet mes tyre flasin për rrënimin e sistemit i drejtësisë” dhe se për këtë duhet të diskutojnë institucionet më të larta shtetërore, përfshirë Këshillit të Sigurisë që drejtohet nga presidenti, Stevo Pendarovski./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat