Qyteti i Shkupit do ta kryejë transportin publik

Shkupi

Qyteti i Shkupit do ta kryejë transportin publik

Më: 18 janar 2023 Në ora: 13:06
Foto ilustrim

Pas përfundimit të afatit për paraqitje në thirrjen publike për transportues privatë të autobusëve për linjat 9, 11 dhe 12, Qyteti i Shkupit njofton se për shkak të mosinteresimit për thirrjen publike, Ndërmarrja Transportuese Publike – Shkup do të vazhdojë me kapacitetin e vet ta kryejë transportin publik.

“Qyteti i Shkupit u dha mundësinë të gjithë atyre që dëshirojnë të punojnë me ndershmëri dhe përgjegjësi dhe të fitojnë para nga transporti publik, të aplikojnë në thirrjen publike, për shkak se nuk ka interes NTP Shkup vazhdon me kapacitetin e vet për të kryer transportin publik pa pengesa, në kohë dhe të standardizuar. Për këtë vit, me qëllim të përmirësimit të shërbimeve të transportit publik, është planifikuar që kapacitetet e NTP-së të rriten edhe më tej me autobusë të rinj”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Ndryshe, dje ka skaduar afati për t’u paraqitur në thirrjen e dytë publike për autobusët privatë për linjat 9, 11 dhe 12, ku kërkoheshin 28 autobusë dhe 59 shoferë.

Nga Qyteti i Shkupit theksojnë se mbetet të shihet nëse do të arrijë oferta me postë. Hapja publike e ofertave, sipas thirrjes publike, është caktuar për datën 24 janar në ambientet e Qytetit të Shkupit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat