Në Shkup shënohet 74 vjetori i holokaustit të hebrenjve

Shkupi

Në Shkup shënohet 74 vjetori i holokaustit të hebrenjve

Më: 11 mars 2017 Në ora: 11:15
Memoriali hebraik në Maqedoni

Komuniteti hebraik në Republikën e Maqedonisë sot do të shënojë 74 vjet nga deportimi dhe holokausti i 7.144 hebrenjve të Maqedonisë në kampin e përqendrimit, Treblinka.

Natën midis 10 dhe 11 marsit të vitit 1943 janë arrestuar të gjithë hebrenjtë në Maqedoni dhe janë burgosur në Monopol, sot Kombinati i duhanit, i cili atëherë ishte kamp përqendrimi i përkohshëm. Më së shumti hebrenj ka pasur nga Manastiri, Shkupi dhe nga Shtipi dhe nga disa familje nga qytetet më të vogla.

Më 11 mars ishin mbledhur në vagonë për transportin e kafshëve dhe nga Manastiri dhe Shtipi së bashku janë sjellë në Monopolin e Shkupit, ku kanë qëndruar deri në fund të muajit mars në kushte ekstreme të rënda higjienike dhe psikologjike. Tërë pasuria u ishte marrë, ndërsa ari dhe paratë u janë konfiskuar. Pastaj sërish ishin ngarkuar, midis 80 dhe 120 në një vagon dhe ishin transportuar në Poloninë e atëhershme të okupuar, në kampin e vdekjes Treblinka, ku janë ekzekutuar. Asnjëri nga të arrestuarit nuk është kthyer.

Sipas vlerësimeve në Treblinkë janë vrarë rreth 900 mijë njerëz, prej të cilëve mbi 750.000 hebrenj. Viktimat e holokaustit në këtë kamp, i cili ndodhej 100 kilometra në verilindje të Varshavës, ishin vrarë midis muajit korrik të vitit 1942 dhe tetorit të vitit 1943.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat