Dika: Serbia nuk po zbaton vendimin e Gjykatës për kthimin e kursimeve në Kosovë

Shkupi

Dika: Serbia nuk po zbaton vendimin e Gjykatës për kthimin e kursimeve në Kosovë

Më: 9 tetor 2017 Në ora: 16:11
Doktori i Spitalit të Shkupit, Artan Dika

Doktori i Spitalit të Shkupit, Artan Dika ka thënë se Serbia nuk po respekton vendimit të Gjykatës Evropiane të të drejtave të njeriut që e obligon të ua kthejnë kursimet qytetarëve të Kosovës, derisa për vendet tjera të ish-Jugosllavisë ka filluar procedurën e kthimit.

Ai në një opinion ka shkruar se Qeveria e Serbia ka marrë vendim për shterjen të kthimit të kursimeve të deponuara në territorin e Kosovës.

Ja opinioni i plotë:

Çështja e kursimeve devizore të robëruara gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë është aktualizuar viteve të fundit pas vendimit të Gjykatës Evropiane të të drejtave të njeriut që e obligon Serbinë dhe Slloveninë tua kthejnë kursimet devizore qytetarëve të ish-republikave Jugosllave.

Disa vite më parë qytetarë nga Bosnja dhe Hercegovina i paditën republikat ish-Jugosllave në Gjykatën e të drejtave të njeriut në Strazburg për moskthimin e parave të tyre, ngaqë republikat e ish-Jugosllavisë vendosën të mos ua kthejnë ato qytetarëve të republikave tjera, për shkak se republikat mes vete nuk arritën marrëveshje për ndarjen e pasurisë dhe borxheve të RSFJ-së. Pas disa vitesh shqyrtimi të padisë, në 6 nëntor 2012 Gjykata e shpalli fajtore Serbinë dhe Slloveninë për shkeljen e të drejtës së pronës (pasurisë) si e drejtë themelore e njeriut, sepse sipas vendimit të Gjykatës qytetarët nuk janë fajtorë që shtetet e tyre nuk mund të arrijnë marrëveshje për ndarjen e pasurisë së ish-Jugosllavisë dhe se arritja apo jo e kësaj marrëveshje mes shteteve nuk mund ta ndalojë të drejtën e qytetarëve për të marrë kursimet e tyre devizore. Në 16 korrik 2014 shkalla e dytë e kësaj Gjykata solli po të njëjtin v endim duke kërkuar nga këto shtete kthimin e kursimeve devizore.

Një vendim i tillë është i plotfuqishëm jo vetëm për rastin të cilin e kishte shqyrtuar dhe për të cilin kishte vendosur Gjykata, por për të gjitha rastet e njëjta me të. Vendimet e Gjykatës të të drejtave të njeriut në Strazburg janë të detyrueshme për Serbinë dhe Slloveninë. Këto vende janë të detyruara ta njoftojnë Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës për hapat e ndërmarra për zbatimin e vendimeve të Gjykatës.

Vendimi i Gjykatës obligonte këto dy shtete që në afat prej një viti të ofrojnë zgjidhje sistemike për kthimin e kursimeve devizore të robëruara. Në përputhje me këtë, në dhjetor të vitit 2015 Sllovenia filloi procedurën për kthimin e kursimeve të robëruara në territorin e saj. Pas disa zvarritjesh dhe thirrjesh nga Këshilli i Evropës, Republika e Serbisë e miratoi ligjin përkatës numër 108/2016 dhe në shkurt 2017 nxorri njoftim publik për fillimin e procedurës për kthimin e devizave të robëruara, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Strazburgut. Aplikimi filloi nga data 6 mars dhe zgjat një vit. Kthimi i kursimeve devizore planifikohet të bëhet në 10 pjesë, dy herë në vit, duke filluar nga gushti 2018 deri në shkurt 2023.

Nisur nga kjo qytetarë të Kosovës por edhe nga ish-republikat tjera (konkretisht Maqedonia), kursimet devizore të të cilëve janë konfiskuar nga bankat serbe në territorin e Kosovës kanë udhëtuar për në Beograd për të aplikuar për kthimin e kursimeve devizore. Çuditërisht, në Ministrinë e financave të Serbisë u është thënë se procedura e nisur për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Strazburgut nuk vlen për kursimet devizore të depozituara në territorin e Kosovës, edhepse as në ligjin 108/2016 e as në thirrjen publike për të aplikuar për kthimin e kursimeve devizore nuk thuhet diçka e tillë dhe mediat bëjnë të ditur se të drejtën për të aplikuar e kanë të gjithë banorët e ish-Jugosllavisë. “Për Kosovën” - kishin thënë zyrtarët e kësaj ministrie – “do të përcaktohet një procedurë tjetër më vonë”. Qytetarët në fjalë kanë kërkuar që kjo përgjigje tu jepet me shkrim, por zyrtarët e Ministrisë sà « financave u kanë thënë se kjo nuk është e mundur. Kanë kaluar tre vite qëkur vendimi i Gjykatës se Strazburgut u bë i plotfuqishëm në shkallën e dytë dhe ende nuk ka asnjë veprim konkret për zbatimin e këtij vendim nga autoritetet serbe për kursimet devizore të deponuara në Kosovë. Qytetarët shprehin shqetësimin se nuk ka asnjë informacion se pse Serbia po vepron kështu vetëm me kursimet e depozituara në territorin e Kosovës, ndryshe nga kursimet devizore në bankat serbe në territorin e Serbisë dhe filialat e tyre në ish-republikat tjera. Gjithashtu nuk ka asnjë informacion se kur mund të fillojë procedura e kthimit të parave të depozituara në Kosovë.

Ekziston dyshimi se kjo zvarritje është e qëllimshme për tua pamundësuar shqiptarëve realizimin e kësaj të drejte të tyre, pasi njoftimi i shkurtit 2017 i Ministrisë së financave përcakton se e drejta për të aplikuar për kthimin e kursimeve devizore zgjat vetëm një vit. Qytetarët kërkojnë sqarim nga Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës si dhe nga Gjykata Evropiane e të drejtave të njeriut në Strazburg nëse zyrtarët që e ndjekin këtë çështje në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës si edhe në Gjykatën Evropiane të të drejtave të njeriut në Strazburg janë në dijeni të veprimeve serbe për këtë shtyerje të kthimit të kursimeve të deponuara në territorin e Kosovës, ndryshe nga kursimet tjera, procedura për kthimin e të cilave tashmë ka filluar?

Ata kërkojnë të dinë se kur planifikohet të fillojë zbatimi i vendimit të Gjykatës edhe për kursimet e depozituara para lufte në territorin e Kosovës dhe nëse Serbia nuk e zbaton këtë, çfarë masash do të marrë Këshilli i Evropës për ta detyruar Serbinë të zbatojë vendimin e Gjykatës Evropiane të të drejtave të njeriut në Strazburg në këtë rast? Qytetarët thonë se është detyrë e institucioneve të Kosovës që të kërkojnë sqarim lidhur me këtë çështje nga qeveria e Serbisë si dhe ta ngrejnë çështjen në fjalë në Këshillin e Evropës, i cili është institucioni kompetent për ndjekjen e zbatimit të vendimeve të Gjykatës së të drejtave të njeriut.

Dr.Artan Dika

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat