Gjimnazistët protestojnë kundër ndotjes së ajrit në Shkup

Shkupi

Gjimnazistët protestojnë kundër ndotjes së ajrit në Shkup

Më: 1 dhjetor 2018 Në ora: 16:27
Shkup

Një grup nxënësish nga gjimnazi i Gostivarit si dhe gjimnazi “Zef Lush Marku” në Shkup përmes një performance koreografike protestuan përpara Qeverisë për nivelin e lartë të ndotjes së ajrit.

Me slogane në duar “Nuk mund të frymojmë”, “ Ndotja është e barabartë me vdekje” ata kërkuan nga institucionet që të ndërmarrin masa të cilat do të ndikojnë shpejtë në pastrimin e ajrit. Ndër kërkesat e shumta ata shprehën edhe nevojën e ekzistimit të rrugëve të posaçme për qarkullim me biçikleta.

“Ne me anë të vallëzimit përcjellim një mesazh shumë të rëndësishëm i cili shpreh revoltën që e kemi në lidhje me ajrin e papastër.  Secili prej nesh meriton që të jetojë në një ambient sa më të mirë”, tha Njomza Bajrami, nxënëse.

“Ne jemi të shqetësuar për pasojat të cilat i shkakton ajri i ndotur dhe ata janë vdekje dhe sëmundje të rënda serioze. Ne nuk guxojmë dhe nuk duam ta pranojmë këtë gjendje”, tha Vojkan Mihajlloski, nxënës.

“Të gjithë ne kemi të drejtën për ajër të pastër ai është i patjetërsueshëm për shëndetin tonë. Ne si nxënës shumë mirë e kuptojmë mesazhin se të gjithë thithim ajër të njejtë dhe këtë mesazh ia drejtojmë të gjithë institucioneve përgjegjëse”, tha Jovana Dukovska, nxënëse.

Protestës iu bashkëngjit edhe Ambasada e parë e fëmijëve në botë “Megjashi”. Ajo kërkoi nga Qeveria shkarkimin e drejtuesve të ministrisë së Ambientit Jetësor, e cila sipas tyre nuk është në gjendje të përballet me problemin e ndotjes.

“Disa shoqata vendosëm që të drejtohemi deri te Komiteti i të drejtave të fëmijëve në Gjenevë, dhe kërkuam masa të cilat kjo Qeveri duhet t’i zbatojë, në të kundërtën do të duhet që të iniciojmë padi. Secili i dyti fëmijë vuan nga probleme respiratore, ka vështirësi gjatë frymëmarrjes. Të mos detyrohemi ta shpallim Maqedoninë si vend në të cilin ka ekocit dhe si vend ku ndodh persekutimi i qytetarëve për shkak të ajrit të ndotur. Kërkojmë përgjegjësi nga ministri i Ambientit si dhe zëvendësministri dhe konsideroj se ka ardhur koha që kryeministri të bëj rikonstruimin e kësaj ministrie, dhe të vendos kuadër profesional”, theksoi Dragi Zmijanac, Ambasada e parë e Fëmijëve në botë “Megjashi”.

Javë më parë Qeveria prezantoi Planin për pastrimin e ajrit të ndotur, i cili parasheh zbatimin e një sërë masash afatgjate të cilat pritet të sjellin rezultate në afat kohor prej dy vitesh. Por sektori civil me kritika të ashpra ndaj Planit Qeveritar, duke kërkuar që institucionet të ndërmarrin masa urgjente deri në zbatimin e tërësishëm të masave afatgjate.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat